Luftëtari, gati kërkesa për gjyqtarë të huaj ndaj Skënderbeut

Luftëtari u rikthye te fitorja e shumëpritur pas tri humbjeve radhazi. Tri pikët ndaj Korabit dhe, për më tepër, shënimi i katër golave kanë qetësuar situatën në kampin bluzi. Tashmë të besuarit e Mlladen Milinkoviçit kanë nisur të mendojnë për ndeshjen e radhës për kampionat, që do të luhet të dielën në Gjirokastër kundër kampionëve në fuqi të Skënderbeut.

Klubi i ka idetë e qarta për vazhdimësinë e kampionatit: të blindohet vendi i katërt. Me këtë pozicion Luftëtari mund të jetë pjesë e Ligës së Europës, nëse në finalen e Kupës së Shqipërisë fiton Skënderbeu. Megjithatë, nisur edhe nga ankesat e javëve të kaluara, gjirokastritët kërkojnë që ndaj korçarëve të kenë një gjykim korrekt dhe gjithçka të përcaktohet nga këmbët e lojtarëve.

“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta pranë klubit se drejtuesit po mendojnë të bëjnë një kërkesë në FSHF, në mënyrë që ky takim të gjykohet nga një treshe e huaj, ashtu siç ndodhi edhe në javën e fundit në ndeshjen Flamurtari-Vllaznia. Nuk dihet nëse institucioni i futbollit do të marrë parasysh kërkesën e Luftëtarit, por kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim. Në Gjirokastër janë të bindur se ndeshja e së dielës mund të jetë vendimtare për vazhdimësinë në kampionat.

REXHINALDO

Sulmuesi nga Mozambiku, Artur Rexhinaldo Faife, ka gjetur golin pas një mungese prej katër muajsh.

“Jam shumë i lumtur që u riktheva te goli. Jo vetëm për kënaqësinë personale, por edhe për faktin se e ndihmova skuadrën që të arrijë fitoren. Personalisht, nuk do të dorëzohem kurrë në arritjen e objektivave që ka ekipi”, ka shkruar dje sulmuesi në faqen e tij në “Facebook”. Rexhinaldo ka shënuar deri më tani 7 gola në kampionat, duke qenë shënuesi i dytë më i mirë pas Dejvi Bregut me 8 gola.