Luftëtari mund Tiranën, Gjirokastra prek Europën

Është Luftëtari forca e katërt e kampionatit dhe këtë e konfirmon në përballjen direkte për zonën europiane me Tiranën. Gjirokastritët dominojnë bardheblutë 2-1 në një ndeshje me dy fytyra dhe shumë emocione ku rezultati i vendos në pjesën e dytë. Entuziazëm në Gjirokastër ku bluzinjtë zhvilluan një tjetër ndeshje me ritëm të lartë, duke larguar edhe më shumë Tiranën ndjekëse që tashmë është e detyruar ta kërkojë Europën nëpërmjet Kupës. Josa u detyrua të hidhtë në fushë një formacion të diktuar nga mungesat e shumta, ndërsa Milinkovic propozoi sërish modulin me dy sulmues në repartin e avancuar. Ndeshja nisi disi nën ritëm me Tiranën që iu afrua golit me (16) Moise por Ruçi me një pritje spektaklare ruajti katërkëndëshin gjirokastrit të paprekur. Luftëtari i përgjumur zhgënjeu jo pak edhe pse pretendoi për një 11 metërsh pas rrëzimit të Lamçes, ndërsa ak minuta më vonë Bregu shënoi një gol të parregullt. Me kalimin e minutave Tirana humbi qartësinë duke treguar limitet dhe vendasit ishin shumë pranë golit në sekondat e fundit me një rast të shpërdoruar nga Bregu që vetëm pak metra larg portës e çoi topin mbi transversë. Me rikthimin e skuadrave në fushën e lojës, Milinkovic u duk se injektoi më shumë forcë në muskujt e djemve të tij. Reginaldo protagonist në të 50-ën me një goditje që përfundoi ngjitur me shtyllën e djathtë të Likës, ndërsa Eri Lamçja evitoi Teqjen dhe me të majtën nuk i dha asnjë shpresë Iljon Likës.

Tirana dukshëm në vështirësi humbi busullën, ndërsa Luftëtari me protagonist Bregun dha sërish një sinjal kërcënues. Vlonjati e kërkoi me ngulm golin dhe arriti ta gjente në të 72-ën kur pas një topi të devijuar nga Lika me ftohtësinë e një sulmuesi të lindur e ndali topin në rrjetë.

Goditja e nokdaunit për Tiranën që rrezikoi të pësonte edhe të tretin pak sekonda më pas por shtylla nuk lejoi që rezultati të thellohej. Dalja e Zguros me kartonin e dytë të verdhë i dha një dorë skuadrës së Mirel Josës pavarësisht që gjeti vetëm shtyllën me Hoxhallarin, ndërsa në inutën e parë shtesë ngushtoi shifrat me Cise.

Ishte pikërisht ndeshja ndaj gjirokastritëve një fazë më parë kur Tirana regjistronte fitoren e fundit, ndërsa Luftëtari me këtë sukses është shumë pranë arritjes së objektivit sezonal për të siguruar metamatikisht mbijetesën por me një sy nga Europa pasi vendi i katërt i jep ekipit të Milinkovic mundësi reale për të debutuar në kompeticionet ndërkombëtare.