Mandi i përgjigjet Shehut: Profesor, 3 vjet kam kryetare bashkie, ju keni mbi 20 vjet në politikë. Eja të shikosh investimet në Libohovë

Një ditë më parë deputeti i PD-së në Gjirokastër, Tritan Shehu, bëri përgjegjëse kryebashkiaken e Libohovës për rrënimin e qendrës shëndetësore të fshatit Nepravishtë, si dhe për mungesën e investimeve. Ndërkohë sot i është kundërpërgjigjur Luiza Mandi. Përmes një deklarate në Facebook, ajo i kujton deputetit të PD-së se ai ka mbi 20 vjet në politikë dhe përgjegjësi duhet të kërkojë më shumë tek vetja e tij sesa tek ajo. Kryebashkiakja e Libohovës, ‘zbulon’ edhe një detaj, që Tritan Shehu ka qenë pedagog i saj gjatë kohës kur ishte studente e Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë. Më poshtë reagimi i plotë i Luiza Mandit.

Në përgjigje të ish profesorit tim, sot deputet i PD-së, Tritan Shehu.

Unë e kuptoj ndjeshmërinë tuaj për probleme të shëndetësisë, ndjeshmëri që si mjeke e kam edhe unë, por refuzoj të bëj politikë me ç’të mundem duke shpresuar se kështu njerëzit do të më besojnë më shumë se kundërshtari. Ju më ngarkoni me përgjegjësi për ambulancën e fshatit Nepravishtë, a thua se ajo ambulancë u rrënua këto 3 vite që unë jam kryebashkiake e Libohovës.

Ndërkohë harroni se vetë ju keni mbi 25 vjet në politikë, keni qenë dhe në pushtet disa herë. Rrënuat Shqipërinë, ndaj u ndëshkuat me votë në 2013, 2015 dhe 2017. Prandaj mos tentoni t’u hidhni hi syve njerëzve. Ajo qendër dhe shumë probleme të tjera janë dëshmi e gjallë e rrënimit dhe ‘tokës së djegur’ që ju latë nga keqqeverisja tuaj. Ashtu siç doli në dritë Materniteti i Gjirokastrës, të cilin ju e latë të shkatërrohej, do t’u vijë radha edhe ambulancave nëpër fshatra.

Vërtet Nepravishta s’ka një ambulancë moderne, por nuk mungon shërbimi tek banorët me mjekë e infermierë. Sa për qendrën shëndetësore të Libohovës është një qendër funksionale, me të gjitha shërbimet dhe ka një personel të kualifikuar. Lidhur me investimet në Libohovë, të ftoj të vizitosh rrugën e Bulos, të ftoj të vizitosh rrugën dhe Kishën e Labovës, segmentin nga Kthesa e Libohovës e tutje, si dhe kantierin e madh të ‘Rilindjes Urbane’ në qendër të Libohovës. Të gjitha këto në vetëm 3 vjet.

Se çfarë bëtë ju për 8 vjet në Libohovë, s’ka nevojë të zgjatem sepse e dinë të gjithë. Thjesht dështuat me sukses! Për ta mbyllur Profesor, të ftoj në inagurimin e qendrës së re të Libohovës pas disa muajsh. Ne do të vazhdojmë të punojmë, ju merruni me fjalë.