Mandi zhvillon takime me libohovitë në Greqi, i fton të kontribuojnë në fitoren e 21 qershorit

Luiza MandiKandidatja e koalicionit të majtë për Bashkinë Libohovë, Luiza Mandi, së fundmi ka zhvilluar takime elektorale edhe përtej kufirit shqiptar. Ajo ka qenë në disa qytete të Greqisë, për të ndarë me libohovitët alternativën e saj dhe për të kërkuar prej tyre mbështetje me votë në 21 qershor.

“Ditët e fundit kam zhvilluar takime edhe në disa qytete të Greqisë, ku jetojnë e punojnë prej vitesh emigrantë nga Libohova dhe fshatrat e zonës përreth. Kanë qenë takime entuziaste dhe frymëzuese për fitoren e madhe të 21 qershorit. Së pari i kam falenderuar për kontributin e jashtëzakonshëm që ata kanë dhënë ndër vite për investime të ndryshme në vendlindje dhe së dyti i kam ftuar të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, të mbështesin alternativën time për transformimin e Libohovës”- shkruan Mandi në faqen e saj në Facebook.

Më tej ajo kërkon mirëkuptim për faktin që nuk mund t’i takonte të gjithë, për shkak të angazhimeve të tyre dhe shtrirjes që emigrantët kanë në të gjithë Greqinë, por u bën thirrje të vijnë në 21 qershor dhe të marrin pjesë në zgjedhje.

“Natyrisht që për shkak të përditshmërisë së tyre të ngarkuar me punë e angazhime të tjera, nuk ishte e mundur t’i mblidhja e t’i takoja të gjithë kudo që ata ishin. Prandaj këtu gjej rastin të kërkoj mirëkuptimin e tyre, si dhe t’i ftoj edhe njëherë të bëhen protagonistë të fitores së 21 qershorit. Të vijnë në Libohovë dhe të shprehin me votë mbështetjen për alterternativën time. Jam e bindur se vota e tyre është po aq e rëndësishme sa kontributi shumëvjeçar që kanë dhënë për vendlindjen”- nënvizon Mandi.

Në përfundim kandidatja e majtë zotohet se pasi ajo të bëhet kryebashkiake e Libohovës do të ndërmarrë programe specifike në ndihmë të emigrantëve që duan të investojnë në vendlindje.

“Bashkia Libohovë e drejtuar prej meje do të hartojë programe të veçantë në ndihmë të emigrantëve që duan të investojnë në vendlindje. Përvoja e tyre profesionale dhe eksperienca e krijuar në kompanitë e vendit fqinjë është e domosdoshme për zhvillimin e sipërmarrjeve të reja edhe në Libohovë, për krijimin e vendeve të reja të punës”- shkruan Mandi.