“Më jepni votën, të merrni subvencionin nga gruaja ime”, Roland Bejko sulmon Vangjel Tavon

Pas Flamur Golemit i cili gjatë takimit në “Manalat” ironizoi Vangjel Tavon, duke thënë se u jep numrin e telefonit njerëzve sa për t’i marrë votën, edhe Roland Bejko ka sulmuar dje kryesuesin e listës së LSI-së.

Ndonëse nuk e përmendi me emër Vangjel Tavon, kuptohet që akuzat ishin ndaj tij. Bejko tha se ai i gënjen fermerët duke i premtuar subvencione.

“Kanë ardhur të na mbështesin këtu sot fermerë pa ferma, sepse është dikush që i gënjen. Është dikush që u premton shumë, që hap telefonat që është i gjendshëm, që i mashtron njerëzit dhe i thotë: po të më jepni votat mua, ju do të merrni subvencione nga gruaja ime. Këta janë ata që kanë shembur sistemin”, u shpreh Bejko gjatë takimit hapës të fushatës ku merrte pjesë edhe Lulzim Basha.

Kujtojmë që bashkëshortja e Vangjel Tavos, Suela Popa, drejtonte prej vitesh Agjensinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. Pas marrëveshjes Rama-Basha, ajo u shkarkua nga ky pozicion, duke qenë se përmes kësaj agjensie lëvroheshin miliona euro subvencione për fermerët dhe automatikisht mund të ndikohej tek vota e tyre.

/ArgjiroLajm.net/