Meta të dielën në Jorgucat, prezanton kandidatin për Bashkinë Dropull

16490117Pas prezantimit të Zamira Ramit pak ditë më parë, kryeparlamentari Ilir Meta vjen sërish në fundjavë në jug të vendit. Të dielën ai do të takohet me qytetarë të Bashkisë Dropull, ku do të bëhet edhe prezantimi i kandidatit të PBDNJ-së për këtë bashki, Kosta Ziso.

Edhe pse PBDNJ nuk është në koalicion për zgjedhjet lokale me PS-në, kjo e fundit dhe LSI mbështesin kandidatët e saj në bashkitë ku jeton minoriteti grek. Takimi i Metës me dropullitët do të bëhet në fshatin Jorgucat, aty ku do të jetë edhe qendra e re e Bashkisë së Dropullit. Të pranishëm në takim do të jenë kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule si dhe deputeti Vangjel Tavo. PS në Dropull kandidon vetëm me këshilltarë. Lista kryesohet nga një femër, Mirela Çabeli.

Partia Demokratike kandidon për këtë bashki Arqile Deçkën, edhe pse u lakua më herët emri i Spiro Kserës. Ky i fundit është caktuar si koordinator i fushatës së opozitës në Dropull. Pas ndarjes së re territoriale, Bashkia Dropull u krijua si njësi e re nga shkrirja e komunave të Pogonit, Dropullit të Sipërm dhe Dropullit të Poshtëm.