Ministrja e Mbrojtjes thirrje nga Kakavija: Kthehuni mbrapsht, nuk mund të kalojnë të gjithë ata që presin në radhë

Dita e sotme nuk ka asnjë përmirësim të situatës në pikën kufitare të Kakavijës edhe pas negociatave të gjata mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke. Radha ka shkuar deri në 25 km, në fshatin Grapsh. Vargu i makinave ka arritur deri në fshatin Grapsh gjatë orëve të natës. Pala greke e ka mbyllur kufirin e saj në orën 22:00, por kjo nuk ka penguar qytetarët t’i drejtohen kufirit për të ikur në territorin grek duke sjellë shtim të makinave që presin për të kaluar dhe përkeqësim të situatës. Kjo situatë vijon prej 4 ditësh, duke u kthyer në një krizë humanitare, ku qytetarët vijojnë të qëndrojnë në temperatura tepër të lart.

Vetë kryeministri Rama tha se nuk mund të bëjnë asgjë përballë rregullave të vendosura nga Greqia për kufijtë e tyre, ndërsa tha se nuk do të braktisën qytetarët në këtë kohë të vështirë. Nga ana tjetër edhe Ministrja Xhaçka tha se Forcat e Armatosura janë në terren që ditën e djeshme dhe po ndihmojnë në shpërndarjen e paletave ushqimore, nevojave higjieno-sanitare dhe kontrollet mjekësore kur është e nevojshme. Ajo bëri thirrje që të shmangen udhëtimet dhe se kush po pret në radhë të kthehet pas deri në normalizim e situatës.

“Numri i qytetarëve që lejohet të kalojnë është mjaft i kufizuar dhe kalimi i të gjithë atyre që janë aktualisht në radhë fatkeqësisht është i pamundur. Ndaj, bëjmë thirrje që jo vetëm qytetarët e tjerë të mos drejtohen drejt pikave kufitare me Greqinë, por edhe ata që presin në radhë të kthehen në banesat e e tyre, deri në normalizimin e situatës”, thote Xhaçka.

Gjithashtu pala greke në pikën kufitare të Kakavijës ka mbyllur portën në tokën neutrale, për të mos krijuar radhë dhe fluks të qytetarëve në kufirin grek dhe më pas do të hapet sërish për të marrë të tjerët që janë në radhë përtej portës në tokën shqiptare. Kjo ka sjellë tensionim të qytetarëve të cilët prej ditësh po presin në radhë për të kaluar drejt territorit grek.

Sipas kufizime të reja që ka vendosur Greqia pjesë e masave për pandeminë, duke filluar nga 16 gushti, në pikët kufitare të Kakavijës nuk do të mund të kalojnë më shumë se 750 persona, ndërsa nga ajo e Kapshticës 300 persona. E gjithë kjo radhë është krijuar jo vetëm për shkak të tamponi dhe mbylljes së kufirit gjatë natës, por dhe fatit që duke filluar nga nesër çdo qytetar që hyn në Greqi duhet të karantinohet 7 ditë. Kjo ka bërë që qytetarët të zgjedhin të kalojnë para kësaj date, por kjo ka shkaktuar fluks të papërballueshëm për palën greke.