Ministrja Kumbaro në Zagorie: Përfundojmë projektin e rrugës, restaurojmë shtëpinë e Çajupit (FOTO)

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka vijur sot takimet e saj në jug të vendit.

Bashkë me kryebashkiaken e Libohovës, Luiza Mandi, Kumbaro ishte në Zagorie për një bashkëbisedim me banorët.

Duke u ndalur në Sheper, gjatë diskutimit me banorët, Kumbaro ndau me ta shqetësimin për rikonstruksionin e rrugës së Zagories. Sipas saj përfundimi i projektit të kësaj rruge është në proces dhe më pas do të nisë zbatimi i tij.

Gjatë vizitës në Zagorie ministrja shoqërohej gjithashtu edhe nga inxhinierë të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, të cilët kryen matjet dhe inspektimet në shtëpinë e lindjes së Andon Zako Çajupit.

Kjo shtëpi ku lindi rilindasi pritet të jetë një tjetër monument që do të restaurohet. Më pas Kumbaro dhe kryebashkiakja Mandi vizituan Kishën e Shën e Premtes, një tjetër objekt me vlera të rralla, por që ende nuk ka statusin “monument kulture” në mënyrë që të përfitojë investime për mirëmbajtjen. Më poshtë foto nga takimi./Libohova Online