Ministrja Kumbaro takim me strukturat e PS në Libohovë: Mbështetje me të tjera investime (FOTO)

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro zhvilloi këtë mbrëmje një takim me strukturat e Partisë Socialiste, mbështetës e simpatizantë të saj në Libohovë.

Bashkë me kryebashkiaken Luiza Mandi, ajo komunikoi me të pranishmit disa prej investimeve të realizuara në Libohovë vitet e fundit apo ato që janë në proces, sikundër është restaurimi i Kishës së Labovës dhe rikonstruksioni i rrugës, apo përfundimi i rrugës së Bulos etj.

Kumbaro i mëshoi më shumë investimit për qendrën e re, një projekt me vlerë të konsiderueshme që pritet t’i japë një tjetër pamje Libohovës dhe sigurisht të krijojë vende pune.

Në vijim të diskutimit, ministrja theksoi restaurimin e Kalasë së Libohovës, si një zotim të sajin personal që do ta çojë deri në fund.

Më pas diskutimi është fokusuar te zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe organizimi i strukturave për të maksimizuar rezultatin për Partinë Socialiste./Libohova Online