Ministrja Kumbaro takime me banorët në Suhë e Stegopul (FOTO)

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka zhvilluar dje pasdite takime në fshatra të Libohovës. Ajo është ndalur në Suhë e Stegopul, në një bashkëbisedim me banorët për problematikat që i shqetësojnë, por edhe për të komunikuar investimet e qeverisë shqiptare në këtë zonë.

Kumbaro shoqërohej nga kryebashkiakja Luiza Mandi, Administratori Gazmend Çulla, drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve në Libohovë, Aldi Sinani, si dhe kreu i PS-së, Arbër Kënaçi.

Gjatë takimit në Stegopul, banorët ngritën problemin për restaurimin e manastirit, një monument i vendosur në të dy anët e Grykës së Selckës. Pritet që në ditët e ardhshme specialistë të trashëgimisë kulturore dhe restaurimeve  të shkojnë për të vlerësuar gjendjen e këtij monumenti, në mënyrë që të kryhen ndërhyrjet e nevojshme.

Pjesë e bisedës me banorët e dy fshatrave ishin edhe investimet e qeverisë shqiptare, ku më i rëndësishmi mbetet rikonstruksioni i lotit të parë të rrugës nga Kthesa e Libohovës deri pranë urës së lumit në Suhë, investim ky që nis brenda muajit maj dhe lehtëson ndjeshëm lëvizjen në këtë zonë.

/Libohova Online/