Miqësorja Kosovë-Shqipëri, Tifozat Kuq e Zi bojkotojnë ndeshjen
Grupimi i “Tifozave Kuq e Zi” bojkotojnë Kombëtaren e futbollit në ndeshjen miqësore ndaj Kombëtares së Kosovës. Përmes një komunikate ata thonë se ky grupim përkrah vetëm një kombëtare dhe përfaqësojnë një Flamur. Më tej ata shtojnë se do të jenë në Prishtinë për të festuar, por jo në stadium. Lexoni më poshtë reagimin e plotë të tyre, në prag të ndeshjes Kosovë-Shqiperi, që do të luhet më 13 nëntor.
Të nderuar Tifoza Kuq e Zi,
Këtë të premte, Kampionët tanë, zhvillojnë ndeshjen e parë pas kualifikimit historik në Kampionatin Evropian “France 2016”, në shtëpinë e tyre të dytë, AUTOKTONE, në Prishtinë. Ndeshja do të jetë e karakterit festiv, ndaj një grupimi tjetër të futbollistëve shqiptarë.
Që nga themelimi, një ndër misionet bazë te Tifozave Kuq e Zi ka qenë që Shqiptaret, edhe pse te ndarë në disa shtete, të kenë vetëm një Kombëtare, dhe të përfaqësojnë vetëm një Flamur. Ne vazhdojmë të besojmë në kauzën tonë, dhe për këtë arsye, të Premten nuk do te jemi prezent si grupim ne Stadionin e Prishtinës, por që sigurisht qe do te jemi prezent në Prishtinë për festën e madhe. Që nga themelimi dhe deri me sot, ne kemi përkrahur vetëm Kombëtaren Shqiptare dhe skuadrat shqiptare ne Evrope. Por asnjëherë të vetme nuk kemi qenë në tribuna, kur në fushë kanë qenë dy skuadra me futbollistë shqiptarë. Dhe me gjithë dëshirën që të festojmë, nuk do të mundemi te jemi aty.
Tifozat Kuq e Zi i bëjnë thirrje te gjithë Shqiptareve në Kosovë, të shfrytëzojnë praninë e Kombëtares ne Prishtinë, dhe të festojnë në numër sa më të madh. Edhe ne si grupim, do te jemi të pranishëm ne Prishtinë, dhe do te festojmë gjithë se bashku ketë arritje historike te Kombëtares tonë.
Për fund, Tifozat Kuq e Zi vazhdojnë te besojnë se sot, me shumë se kurrë, janë krijuar kushte që të kemi vetëm një Kombëtare. Ne vazhdojmë te përkrahim ekipet shqiptare të gjitha trevave që do të luajnë ne arenën ndërkombëtare dhe te mos mbesin te izoluar. Sidoqoftë, ne përfaqësimin si Komb, duhet të jemi një dhe vetëm një.
Kombëtarja që e kemi tani, është shembulli më i mirë i bashkimit, dhe suksesit.
Gëzuar Shqiptarë! Gëzuar Shqipëri Etnike!
Tifozat Kuq e Zi.