Miratohen projektet, restaurim për rrugën dhe Kishën e Labovës

Labova_e_Kryqit3Kisha e Labovës së Kryqit dhe rruga që të çon në këtë fshat do të restaurohen brenda këtij viti. Lajmin e ka dhënë kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi, përmes një shënimi në faqene saj në Facebook.

Mandi shkruan se projektet për këto dy investime janë miratuar dhe se nisja e punimeve është vetëm çështje kohe. Sipas saj restaurimi i rrugës dhe kishës është një investim i rëndësishëm për banorët e Labovës dhe zhvillimin e turizmit. Më poshtë postimi i plotë i Mandit në Facebook.

Kisha e Labovës së Kryqit nuk do jetë më një objekt kulturor i rrezikuar nga rrënimi, e as rruga për ta vizituar këtë aset me vlera të rralla s’ka për të qenë më aq e mundimshme sa është sot. Dua të ndaj me ju një lajm të mirë për një tjetër investim të rëndësishëm në Bashkinë Libohovë. Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës brenda këtij viti do të restaurohet rruga nga kthesa e Labovës deri në qëndër të fshatit, si dhe vetë kisha që i ka dhënë emër këtij fshati. Projektet janë miratuar dhe nisja e punës është çështje kohësh për shkak të procedurave administrative. Restaurimi i rrugës dhe kishës është një investim tejet i domosdoshëm për banorët e zonës dhe zhvillimin e turizmit. Kisha  Labovës është një prej atraksioneve më të rëndësishme në jug të vendit, një prej 40 kishave të para të ndërtuara në të gjithë botën dhe çdo vit tërheq një numër të madh turistësh vendas e të huaj. E kam thënë në krye të herës që fjala ime është puna dhe vetëm puna. Si kryebashkiake do të bëj çdo përpjekje për të sjell investime në Libohovë, investime në infrastrukturë, objektet e trashëgimisë kulturore, sektorin e bujqësisë dhe në çdo drejtim tjetër, me qëllim për të përmirësuar më tej jetën e banorëve dhe zhvilluar ekonominë e tyre familjare.