Miratohet ligji, rrugët nacionale me konçesion

Autostrada3Këshilli i Ministrave ka miratuar kuadrin ligjor i cili i hap udhë dhënies me koncesion të rrugëve kombëtare. Përmes një vendimi të miratuar më 1 tetor dhe të publikuar dje në Fletoren Zyrtare, qeveria ka përcaktuar rregullat për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik provat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale.

Përmes vendimit përcaktohen rastet, elementet, që përcaktojnë dhënien e një vepre publike me koncesion, duke nisur që nga pranimi i propozimeve, te shqyrtimi e miratimi i tyre, për të shkuar te formulat që do të përdoren për vendosjen e tarifave. “Shuma dhe afatet e pagesës së tarifës së koncesionit përcaktohen në përpjesëtim me objektin e koncesionit, me vlerën e parashikuar të kontratës së koncesionit, kohëzgjatjen e kontratës, risqet dhe kostot që koncesionari merr përsipër dhe fitimin e pritshëm, si dhe me nivelin e pajisjeve dhe vlerën e pronës së dhënë, sipas kontratës së koncesionit nga autoriteti kontraktues”, përcakton vendimi.
Tarifa
Sipas vendimit të qeverisë, kontrata e koncesionit mund të përcaktojë ndryshueshmërinë e shumës dhe/ose mënyrën e llogaritjes dhe të pagesës së tarifës së koncesionit brenda një periudhe kohore të caktuar, gjatë të gjithë periudhës së kohëzgjatjes së kontratës së koncesionit, në përputhje me dokumentacionin e tenderit dhe me vendimin për dhënien e kontratës. “Tarifat e koncesionit janë pjesë e të ardhurave të buxhetit të shtetit të Republikës së Shqipërisë dhe/ose të buxheteve të organeve të qeverisjes vendore”, përcakton vendimi qeveritar.
Analiza financiare
Një vëmendje e veçantë në përcaktimin e kushteve të koncesioneve do ti kushtohet analizës ekonomike dhe financiare të kontratës. Në këtë do të përllogariten kostot e drejtpërdrejta të investimeve, kostot e drejtpërdrejta të mirëmbajtjes apo kostot e drejtpërdrejta operative. “Kostot e drejtpërdrejta operative lidhen me funksionimin e përditshëm të objektit dhe përfshijnë koston e plotë të personelit (ku futen pagat, përfitimet e punonjësve, detyrimet për kontributet e pensioneve, kontributet e sigurimeve, trajnimin dhe zhvillimin, pushimet vjetore, shpenzimet e udhëtimit dhe shpenzime të pritshme shtesë), kostot e shërbimeve, lëndët e para dhe materialet e konsumit, kostot e drejtpërdrejta të menaxhimit, si dhe shpenzimet e sigurimit”, përcakton vendimi. “Të ardhurat e projektit përfitohen nga:
a) Përdoruesit fundorë që paguajnë për shërbimin apo për një pjesë të tij; dhe/ose b) përdorimi i aseteve të institucionit”, thekson vendimi. Këshilli i Ministrave përcakton gjithashtu edhe përbërjen bashkë me funksionin që do të kryejnë komisionet e vlerësimit të propozimeve, duke theksuar se në to nuk mund të marrin pjesë persona në konflikt interesi me ofertuesit. “Çdo anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave duhet të konfirmojë që ai/ajo nuk ka lidhje gjaku apo martesore apo që nuk ka interesa tek asnjë nga ofertuesit që marrin pjesë në procedurën e tenderit”, përcakton vendimi./ GSH