Miratohet ligji,ja çfarë ndodh me pagesat e anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe mandatin e Kryetarit

Keshilli Bashkiak i LibohovesKryetarët e bashkive do të kenë të drejtë të qëndrojnë në pushtet për plot 12 vjet me radhë. Kjo pasi mazhoranca ka vendosur që të përcaktojë kufizimin e qendrimit të një kryetari bashkie në 3 mandate.

Vendimi është marrë dje nga Komisioni i Ligjeve, pa praninë e opozitës dhe me kundërshtimin e deputetit socialist Bashkim Fino, i cili ka kërkuar që të zgjedhurit e pushtetit vendor të mos kenë më shumë se dy mandate.

Një tjetër çështje e debatuar gjatë në komision ishte edhe propozimi për të vendosur përputhshmërinë e mandatit të kryetarit të bashkisë me mandatin e kryetarit të partisë parlamentare. Deputeti Fino ka këmbëngulur që në këtë ligj duhet të përcaktohet si “ndaluese” për të mbajtur mandatin e kryetarit të bashkisë pasi zgjidhesh kryetar i një partie parlamentare.

Komisioni ka rikthyer gjithashtu edhe pagesën për pjesëmarrjen në mbledhje të këshilltarëve bashkiakë. Kujtojmë që në draftin e propozuar fillimisht ishte parashikuar heqja e pagesës. Nga frika dhe kakofonia e krijuar për këtë projektligj, anëtarët e Këshillit Bashkiak të Libohovës shkuan deri aty sa të bojkotonin një prej mbledhjeve të këshillit në shenjë proteste. Madje u angazhuan për t’i drejtuar një peticion ministrit të Pushtetit Vendor, Bledi Cuci dhe Parlamentit.  E nëse ia kanë drejtuar, është e sigurt që mosmiratimi i këtij propozimi të ketë ardhur si pasojë e peticionit të këshilltarëve të Këshillit Bashkiak të Libohovës.