Miratohet Moratoriumi, ndalohet për 5 vjet gjuetia

GjuetiaParlamenti ka miratuar në seancën e sotme projektligjin “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”.
Ky projektligj ka për si qëllim të sigurojë ndalimin e aktivitetit të gjuetisë, me synim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie dhe jo vetëm. Zgjatja kohore e këtij moratoriumi është 5 vjeçare.

Vrojtimet dhe rastet e evidentuara në 2 vitet moratorium (2014-2016) kanë dëshmuar që ligji krahas ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë ka krijuar premisat edhe për një qetësi të nevojshme për rimëkëmbjen e popullatave të faunës së egër, rikthimin i një numri shpendësh shtegtarë, falë qetësisë së rivendosur si dhe rigjallërimin e ndjeshëm të faunës së egër në rang vendi.

Ekspertët dhe shkencëtarët e fushës së mbrojtjes së natyrës theksuan me forcë, gjatë dëgjesave publike dhe takimeve paraprake që Ministria e Mjedisit ka organizuar ,faktin se për të rikuperuar atë degradim që kishte fauna para dy vjetësh dhe për të bërë një rimëkëmbje të plotë të disa prej këtyre popullatave, nuk kanë qenë të mjaftueshme dy vite.

Këshilli Evropës dhe Përfaqësues të Konventës së Bernës janë shprehur qartë për domosdoshmërinë e zgjatjes së moratoriumit në vendin tonë gjatë një vizite zyrtare në vendin tonë në Prill të 2016-ës.