Ndryshon ligji për patentat, çfarë ndodh nga janari 2017

pp_1480972494-7638325Nga janari 2017 do të hyjnë në fuqi patentat e reja të makinave, ku sipas ndryshimeve të Kodit Rrugor do të kemi 14 lloje leje drejtimi, nga 8 që janë aktualisht. Për kalimin e testimit të njohurive teorike, marzhi i lejuar i gabimeve do të bëhet 4 pyetje, nga 7 pyetje që është aktualisht. Specialisti i drejtorisë së Qarkullimit Rrugor në Ministrinë e Transporteve, Nikolin Bërxhiku i ka shpjeguar gazetës “Panorama” ndryshimet që do të kenë lejet e reja të drejtimit. Bërxhiku shpjegoi se për shoferët që janë të pajisur me leje të kategorisë B mund të drejtojnë motorë deri në 125 kubikë, gjë e cila nuk lejohej më parë. Bërxhiku tha se lejet aktuale nuk zhvlerësohen deri në përfundimin e afatit të tyre dhe tarifa për patentat e reja mbetet e pandryshuar.

Në rast se kandidati aplikon për një kategori të re, atëherë do të testohet për njohuritë shtesë. Kryesorja është rikonceptimi i programeve për marrjen e lejeve të drejtimit. Duke u nisur nga analiza për shkaqet e aksidenteve dhe sigurisë rrugore është arritur në përfundimin se në 80% të aksidenteve, gabimi njerëzor është shkaktari kryesor. Në këtë rast, njohuritë e përfituara në autoshkolla për marrjen e lejes së drejtimit janë thelbësore dhe për këtë është shumë e rëndësishme përgatitja që bëhet para marrjes së lejes së drejtimit.

Pyetja është çfarë do të bëhet me patentat aktuale dhe a do të zhvlerësohen ato pas 1 janarit 2017?

Bërxhiku thotë se lejet aktuale të drejtimit do të jenë të vlefshme deri në përfundimin e afatit të vlefshmërisë që një drejtues ka në përdorim. Më tej, për rinovimin e tyre, procedura do të jetë e njëjtë, qytetarët do të pajisen me lejet e reja të drejtimit pa kosto shtesë, pra nuk parashikohet të ndryshojë tarifa për pajisjen me leje drejtimi. Ndërsa tarifat e tjera të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit, që kanë të bëjnë me përgatitjen e kandidatëve, mund të kenë ndonjë ndryshim për efekt të indeksimit të inflacionit, por do të jenë pothuajse të pallogaritshme në koston e përgjithshme që i duhet të paguajë një qytetar në pajisjen e lejes së drejtimit. Pra, mund të themi që pritet të ketë rritje të shpenzimeve për marrjen e patentës.