Në Dropull, mes traditës dhe larmisë së kostumeve

blogZona e Dropullit në Gjirokastër është e njohur për pasurinë dhe trashëgiminë e traditave të tyre në breza. Trashëgimia shpirtërore e kësaj zone përcillet tek të rinjtë, të cilët njohin mirë këngët e vallet popullore, që përherë shoqërohen nga veshjet tradicionale.

Kostumi i nuses dropullite është edhe një ndër kostumet më të bukura. Kjo veshje tradicionale e zonës së Dropullit të poshtëm vazhdon edhe sot të përgatitet në të gjitha proceset e saj prej prerjes, vizatimit dhe qëndisjes në mënyrë krejtësisht artizanale në Dervician.

Kaliroi Diamanti është një prej atyre grave të pakta në këtë zonë, që stilon dhe qëndis me kujdes kostumin tradicional të nuses së Dervicianit. Ajo pohon se kërkesat janë të shumta, por me kalimin e kohës tendenca po shkon drejt ndryshimit të kostumit tipik tradicional dhe pasurimin e tij me elementë, që dikur nuk kanë qenë të pranishëm.

Kaliroi kërkon ruajtjen dhe konservimin e traditës dhe formës së kostumit origjinal dropullit pa ndërhyrje të tepërta, që rrezikojnë humbjen e origjinalitetit. “Kam 60 vite që punoj. E kam trashëguar nga mamaja ime dhe përpiqem t’i mbaj kështu siç i kanë mbajtur të parët. Të gjitha të rejat e kanë ndryshuar veshjen pak nga pak”, pohon Kaliroi. Ajo tregon se vajzat dropullite dinë pothuajse të gjitha të qepin e qëndisin.

“Problemi është se jo të gjitha dinë të pikturojnë – shton ajo – se kjo punë kërkon talent, duhet të vizatosh figurat në mënyrë simetrike. Ajo që më shqetëson mua – thekson Kaliroi – është se po ikim nga tradita. Këto nuk janë kostumet tradicionale. Kostumi i Dropullit nuk ka kaq shumë qëndisje e figura. Shpesh më pyesin turistët se ç’domethënie kanë këta zogjtë dhe unë nuk di ç’tu them se këto figura i kanë kërkuar ata që kanë porositur kostumin.

U them gjithmonë vajzave të reja të mos i ndryshojnë, t’i mbajmë siç i kishim, madje duhet t’i thjeshtojmë akoma. Edhe pse kështu janë shumë të bukura, por nuk janë si të traditës”. Me një larmi të pasur kostumesh e traditash, banorët e Dropullit përpiqen ta përcjellin këtë pasuri të trashëgimisë shpirtërore brez pas brezi, edhe pse imitimet e kostumeve të tyre popullore po devijojnë nga ato origjinale, dukë u pasuruar me elementë të reja. Kostumi i nuses dropullite dhe në veçanti ai i Dervicianit është një ndër kostumet më të bukura në fondin e etnografisë shqiptare dhe diversitetit kulturor./GSH