Në fushën e plehrave në Gjirokastër, aty ku fëmijët rrëmojnë për të siguruar jetesën (FOTO)

Janë orët e para të mëngjesit dhe drejtuesi i ekskavatorit nxiton të sistemojë sa më shpejt plehrat e sapodepozituara nga makinat e Ndërmarrjes Komunale në Gjirokastër. Prej fushës së plehrave përhapet një erë dhe duhmë e rëndë. Ekskavatoristi manovron me nxitim levat e komandimit.

Pas çdo lëvizjeje që zinxhirët metalikë kryejnë mbi “kodrinat” me plehra, shfaqet një grup fëmijësh, të cilët kontrollojnë imtësisht zonën që lënë pas, rrotëzat metalike të mjetit. Ata i ngjajnë trumcakëve të vegjël, të cilët qëmtojnë të nxjerrin nga ai mal plehrash sende nga më të ndryshmet.

Të veshur keq, fëmijët rendin nxitimthi mbi mbeturinat, për të mos u shpëtuar asnjë objekt që ata e mendojë si diçka me vlerë. “ I kam gjetur këtu në kohë me diell dhe shi”, thotë ekskavatoristi, ndërsa  hedh shikimin e vëmendshëm tej xhamave të kabinës, për të shmangur goditjen  e grupit të vogëlushëve nga rrotat dhe zinxhirët e rëndë.

“ Fëmijët gjithmonë rendin në rrotat e traktorit për të nxjerrë kanaçe dhe mua më duhet të lëviz me shumë kujdes”, thotë traktoristi, duke i dhenë më shumë gaz mjetit, i cili vë nën vete një pirg të madh plehrash. Me duart e tyre të njoma fëmijët kërkojnë mes grumbullit të plehrave thesarin e tyre të çmuar, ambalazhet metalike të pijeve freskuese.

Shumë nga të vegjëlit vijnë në fushën e plehrave të Gjirokastrës, shoqëruar edhe nga prindërit. Agim Mane, banor i  një zone periferike të qytetit, është një prej tyre. I papunë prej vitesh, ka gjetur si të vetmen mënyrë për të siguruar jetesën e përditshme mbledhjen e kanaçeve metalike në pikat e grumbullimit të plehrave.  “Çdo ditë vij këtu së bashku më fëmijët e mi për të mbledhur kanaçet dhe ambalazhet e tjera metalike. Familja ime nuk ka asnjë të ardhur tjetër, kështu që jam i detyruar të vij këtu çdo ditë për të nxjerë nga plehrat, dhe më pas për të grumbulluar ambalazhet e pijeve të ndryshme”.

Sa herë që prej zinxhirëve të traktorit dëgjohet një zhurme metalike, fëmijëve iu shndrisin sytë, pasi kuptojnë që do të rrisin grumbullin e kanaçeve të mbledhura këtë mëngjes. Eskavatoristi ngadalëson shpejtësinë e lëvizjes, si për t’u ardhur në ndihmë të vegjëlve të cilët rendin nxitimthi pas zinxhirëve të traktorit.

Grumbulli i kanaçeve metalike të mbledhura shkëlqen nën rrezet e diellit dhe u kujton që sot do të kenë bukë mbi tavolinë…/konica.al