Nënshkruhet çelja e Shtëpisë muze të shkrimtarit Ismail Kadare

12524005_1732058093673359_9013679522712781512_nËshtë nënshkruar dje marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Gjirokastrës për rijetëzimin e Qendrës “Shtëpia Kadare”. “Shtëpia Kadare” është në administrim të Ministrisë së Kulturës dhe është dhuruar nga shkrimtari i mirënjohur me destinacion në një qendër kulturore, muzeale dhe rezidenciale.

Banesa e shkrimtarit Kadare, me vendndodhje brenda qendrës historike të qytetit të Gjirokastrës, deklaruar me vendim nr. 4, datë 07.05.1991, monument i kategorisë së i është restauruar me mbështetjen teknike dhe financiare të UNESCO-s dhe MK. Zbatues i projektit është arkitekti, Agron Doraci. Ndërkohë një ditë më parë Bashkia e Gjirokastrës ka marrë vendimin se do të akordojë 1 milionë e 250 mijë lekë për mobilimin e banesës së Ismail Kadaresë.

“Në bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës do të ndajmë politika të përbashkëta, qasje të njëjta, duke krijuar qeliza të reja administrimi dhe menaxhimi në kulturë dhe trashëgimi dhe duke zhvendosur polet e kulturës nga qendra në periferi”- tha Ministrja e Kulturës, Kumbaro. Ndërsa kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, znj. Zamira Rami theksoi rëndësinë që merr Gjirokastra nga rijetëzimi i objektit “Shtëpia Kadare”, që kthen një vëmendje të veçantë ndaj qytetit të gurtë dhe garantoi bashkëpunim të plotë të institucionit që ajo drejton në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Marrëveshja, e nënshkruar dje ka për qëllim vënien në funksion për qëllime muzeale, artistike e kulturore dhe rezidenciale të banesës “Shtëpia Kadare”, duke ndërmarrë veprime konkrete për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit të Gjirokastrës, për të tërhequr më shumë përkthyes dhe shkrimtarë të njohur ndërkombëtarisht, të rinj të talentuar në fushën e letrave, turistë me interesa kulturore dhe jo vetëm dhe për promovimin e traditave dhe trashëgimisë kulturore të qytetit.”, tha Rami.

Në takim u diskutua dhe u miratua kalendari i aktiviteteve për vitin 2016, i cili në këtë vit shpallet “Viti i Kadaresë”. Ditëlindja e 80-të e shkrimtarit të mirënjohur, Ismail Kadare, do të nisë në moton “Gjirokastra lexon me Kadarenë”, konceptuar si një lexim i personazheve të gjallë të romaneve në hapësirat publike. Në Tiranë dhe Gjirokastër në datat 28, 29 dhe 30 janar do të ketë një fundjavë kulturore për “Komandantin e Legjionit të Nderit” që ndërkombëtarizoi qytetin e pjerrët, që u ndërtua duke sfiduar ligjet e ubanistikës./shqiptarja.com