Nis korrja e grurit në Dropull, “Agro Beqari” ferma më e madhe e drithit në Shqipëri (FOTO)

Në fushën e Dropullit, në qarkun Gjirokastër, ka nisur korrja e grurit. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, vizitoi një nga fermat të mëdha në vend, që kultivon në atë fushë rreth 500 Ha me drith, prodhim që shitet i gjithë në tregun vendas. Ministri premtoi mbështetje për fermerët e kësaj zone përmes programit IPARD dhe investimeve në infrastrukturën e sistemit të ujitje-kullimit.

“Bashkë me kryetarin e Bashkisë Dropull i lashë porosi që të bëjmë një projekt për kanalin kullues dhe vaditës, në mënyrë që këta fermerë të mos vuajnë për asnjë sekondë për ujë. Për të gjithë pjesën e nevojave për makineri bujqësore, programi IPARD është një mundësi shumë e mirë. Ju mirëpresim që të aplikoni për të rinovuar flotën e makinerive bujqësore që nevojiten për këtë procesim gjigant që ka nevojë kjo fermë”, tha Çuçi.

Gjatë vitit 2019 qarku Gjirokastër kishte të kultivuar rreth 2 mijë Ha me grurë ndërsa prodhimi ishte 6, 228 ton. Shqipëria plotëson rreth 48% të nevojave për grurë me prodhimin vendas. Pjesa tjetër importohet nga jashtë.

Ndërsa përsa i përket eksporteve, ato janë në nivele shumë të ulta. Për vitin 2019 eksporti i grurit ka qenë rreth 650 ton, sasi e cila është eksportuar e gjitha në Kosovë.

Në fillim të vitit 2020, nisur edhe nga situata e krijuar nga pandemia e COVID-19, importi i grurit për periudhën janar – maj 2020 ka qenë 126 mijë ton ose 75.7% më shumë se për të njëjtën periudhë në vitin 2019.