Nis “lufta”, Golemi kundër Tavos: Ju jep numrin e telefonit sa për t’ju marrë votat (VIDEO)

Kandidati për deputet i PS-së në Gjirokastër, Flamur Golemi gjatë një takimi elektoral në lagjen “Manalat” i është përgjigjur Vangjel Tavos, lidhur me atë që qarkullon si legjendë urbane në jug të vendit se “Tavo të hap telefonin”. Ndonëse nuk e ka përmendur me emër në videon që ka postuar në faqen e tij në Facebook, kuptohet që deklaratat e Golemit ishin drejtuar pikërisht drejt deputetit dhe kandidatit të LSI-së. Më poshtë postimi i tij i plotë dhe video nga takimi ku ishte i pranishëm edhe kryesuesi i listës Bledi Çuçi.

“Manalati” nuk mund të zhgënjente as kësaj here. Pritje fantastike dhe mbështetje e jashtëzakonshme për kandidatët e Partisë Socialiste. Miqtë e mi, mos u mashtroni nga ata që ju japin numrin e telefonit, sa për t’ju marrë votën. Problemet tona të përbashkëta nuk zgjidhen nëse ne kemi apo jo në celularin tonë numrin e deputetit, cilido qoftë ai. Gjirokastra që duam, Shqipëria që duam nuk bëhet duke i telefonuar deputetit dhe pastaj ai të “mburret” lart e poshtë se u hap telefonin njerëzve, ndërkohë që problemet janë po aty. Kjo është për t’i hedhur hi syve njerëzve, kjo na kthen prapa, aty ku nuk duam të shkojmë. Pas 25 qershorit unë do të jem sërish këtu në Gjirokastër, për të adresuar ku duhet dhe zgjidhur problemet tona të përbashkëta.

/ArgjiroLajm.net/