Nis viti i ri shkollor në Libohovë, por mësimi do zhvillohet me dy turne. Kundërshtojnë prindërit (FOTO)

Ka nisur edhe në Libohovë viti i ri shkollor. Me këtë rast është zhvilluar një ceremoni në gjimnazin ’11 Shkurti’, me pjesëmarrjen e kryebashkiakes Luiza Mandi, prefektit të qarkut, Astrit Aliaj, drejtoreshës së DAR Gjirokastër, Lindita Rova, si dhe mësuesve që kanë dhënë kontribut ndër vite. Në fjalën përshëndetëse ata shprehën urimet për nxënësit dhe mësuesit.

Gjatë këtij viti shkollor, mësimi për të gjithë nxënësit e Libohovës do të përqëndrohet në gjimnazin ’11 Shkurti’, për shkak të rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare ‘Avni Rustemi’. Paraprakisht është menduar që një pjesë e nxënësve të shkollës ‘Avni Rustemi’, nga klasa e katërt deri në të nëntën, ta zhvillojnë mësimin paradite në gjimnazin ’11 Shkurti’.

Në mënyrë të pakuptimtë, nxënësit nga klasa e parë deri në të katërt, i kanë kaluar në turnin e pasdites, ndonëse janë më të vegjël në moshë. Kjo ka hasur në kundërshti nga prindërit, duke menduar që gjatë stinës së dimrit është më e vështirë për ta që të sjellin fëmijët në shkollë. Në mënyrë arrogante atyre u janë kthyer edhe përgjigje të tipit: ‘Po ju bëhet…’

Argumenti përse kanë lënë paradite nxënësit nga klasa e katët deri në të nëntën është se mësuesit nga Gjiokastra nuk vijnë dot pasdite. Ndërkohë që për nxënësit e fillores janë mësues nga Libohova. Nga ana tjetër duket disi pa vend se përse Bashkia Libohovë vendosi t’i kryente tani punimet në nisje të vitit shkollor. Nëse ndërhyrja nuk ishte mundur të bëhej gjatë stinës së verës, së paku të shtyhej për në pranverë, kur dita rritet dhe mësimi me dy turne është më i menaxhueshëm për nxënësit, mësuesit dhe prindërit.

©Libohova Online