Nisma vullnetare, të rinjtë nga Belgjika lyejnë e pikturojnë kopshtin e Libohovës (FOTO)

Pas përvojës së mirë me një grup studentësh amerikanë, shoqata “Experiment Albania” solli së fundi në Libohovë edhe një grup të rinjsh nga Belgjika.

14 studente dhe dy mësues qëndruan për pesë  ditë në Libohovë, duke u akomoduar në familjet libohovite, përkatësisht dy persona për çdo familje.

Ndër aktivitetet e ndryshme që zhvilluan gjatë ditëve të qëndrimit, të rinjtë nga Belgjika ndërmorën edhe një nismë vullnetare duke punuar në kopshtin e Libohovës.

Ata grumbulluan një fond prej rreth 200 mijë lekësh të reja, të cilat i përdorën më pas për të lyer dhe pikturuar ambientet e brendshme të kopshtit dhe për të hidroizoluar tarracën, në mënyrë që të krijonin një atmosferë sa më komode për fëmijët. Pritet që gjatë verës shoqata “Experiment Albania” të sjellë në Libohovë të tjerë të rinj nga vende të ndryshme të botës, në kuadër të projekteve për shkëmbime kulturore.

/Libohova Online/