Një emër i ri në tryezën e Ramës për postin e Prefektit të Gjirokastrës

Në muajin shtator pritet të ketë ndryshime rrënjësore në administratën publike. Lëvizje do të bëhen edhe në poste të tjera qeveritare të konsideruara politike. Sa i përket qarkut Gjirokastër, kryeministri Edi Rama do të emëroje një Prefekt të ri.

Ndërsa më herët është folur për Artemis Dralon si pasuesen e Flamur Bimes, së fundi në tryezën e Ramës është një tjetër emër. Bëhet fjalë për Odise Koten, i cili mban aktualisht postin e nënkryetarit të Bashkisë Gjirokastër.

Kote vazhdon të shërbejë në këtë post që nga koha kur Bashkia Gjirokastër drejtohej nga Flamur Bime. Megjithatë emërimi i tij në postin e Prefektit, ndonëse është një vendim në dorë të Ramës, kërkon gjithashtu një lloj konsensusi edhe mes deputetëve të tjerë të qarkut; Bledi Çuçi, Mirela Kumbaro e Flamur Golemi.

Burime të ArgjiroLajm.net thonë se deri më tani kandidatura e Kotes nuk e ka aprovimin e të tre deputetëve, megjithatë mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin gjërat deri në shtator.

Nga ana tjetër, spostimi i  Artemis Dralos si kandidaturë për postin e Prefektit të Qarkut Gjirokastër, lidhet me mundësinë e emërimit të saj në poste të tjera qeveritare në Tiranë. Sidoqoftë duhet pritur si fillim formatimi i qeverisë së re ‘Rama 2’ për të mësuar cilat do të jenë ndryshimet.

/ArgjiroLajm.net/