Një fillim i ri për Gjirokastrën që duam, Flamur Golemi reagon pas zgjedhjes deputet

Nga Flamur Golemi

Një fillim i ri për Gjirokastrën që duam

Të dashur miq,

Prita përfundimin e procesit të numërimit të votave për të shkruar këtë mesazh të parë, tani që bashkë me kolegët Mirela Kumbaro e Bledi Çuçi do të përfaqësojmë Gjirokastrën në Parlamentin e Shqipërisë. Si fillim dua të falenderoj të gjithë ata që punuan intensivisht për të numëruar çdo votë.

E kisha thënë prej kohësh, që në nisje të kësaj fushate, se do të merrnim një fitore historike në 25 qershor. Kjo nuk është thjesht një fitore e Partisë Socialiste, është sidomos një fitore e Shqipërisë, e të ardhmes tonë të përbashkët. Unë falenderoj në mënyrë të veçantë të gjithë banorët e qarkut Gjirokastër, që i besuan votën Partisë Socialiste. Falenderoj patjetër edhe ata që nuk patën besim tek unë apo Partia Socialiste dhe vendosën ta çonin votën diku tjetër. Kjo nuk më pengon t’u shërbej edhe atyre si deputet i qarkut Gjirokastër. E kam thënë shpesh se do të jem deputeti i të gjithëve dhe i përmbahem këtij zotimi deri në fund.

Kam ndjenjën më të thellë të përuljes ndaj çdonjërit prej jush. Abraham Linkolni thotë se asnjë qeveri në botë s’mund t’i kënaqë dot të gjithë gjatë gjithë kohës. Por unë ju siguroj se s’kam për ta harruar kurrë, që jam zgjedhur deputet prej besimit tuaj, prej mbështetjes me votë të lirë. Këtë besim s’kam për ta shkelur kurrë. Interesat tuaja s’kam për t’i tradhtuar kurrë. Ky gëzim i merituar i ne socialistëve për këtë fitore historike, nuk na bën aspak euforik përballë çdo force tjetër politike dhe kurrsesi arrogantë përballë atyre që nuk na votuan. Përkundrazi na shton përgjegjëgjësinë, për të bërë më shumë në mandatin tonë të dytë. Unë ju siguroj se si deputet i Gjirokastrës do të bëj përpjekje maksimale për më shume investime dhe projekte që sjellin një tjetër perspektivë për zonën tonë. Gjirokastra nuk është më ajo që ishte katër vjet më parë falë investimeve dhe reformave të ndërmarra nga kjo qeveri. Shumë më shumë do të bëjmë në katër vitet që vijnë.

Të gjithë meritojnë respektin tim më të madh, përfshi edhe ata që tentuan të punonin kundër meje personalisht apo familjes time politike. Sot falë votës tuaj unë kam fituar vetëm të drejtën për t’u vënë në provë. Do të punoj fort për Gjirokastrën në mënyrë që ta fitoj këtë provë dhe të mos zhgënjenj askënd. Nuk mund të harroj pa falenderuar as familjen time, e cila ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme për mua në këto ditë intenstive të fushatës dhe që patjetër do të vazhdojë të më qëndrojë pranë në këtë angazhim të ri.

Faleminderit