Një ngjarje kafenesh

minxhoziProkurori i përgjithshëm, i cili lëshon deklarata tymuese për ngjarje “që do ndryshojnë fatet e vendit”, bën mirë të kuptojë më në fund se nuk do të mbijetojë në atë post duke u bërë urë e përjetshme e politikës, por se do ta mbajë vendin që ka dhe reputacionin që pretendon se ka, duke bërë detyrën e tij
 
Nga Skënder Minxhozi
 
Nuk e kemi fjalën për vërtetësinë apo falsitetin e vrasjes së pretenduar të një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë. Atë do ta sqarojë, siç shpresohet, drejtësia. Fjala është për skemën e kësaj ngjarjeje të pretenduar, e cila u shtjellua parmbrëmë nga vetë protagonisti, deputeti Doshi. Gjithçka në rrëfimin e tij, duket si një mozaik kafesh, bisedash telefonike, fjalësh të mbartura nga një pub i Tiranës, në një restorant të Lezhës apo në hotelet e Budvas. Një rrjetë e komplikuar emrash, ngjarjesh e datash, që vështirë se dikush mund t’i dëshifrojë. Ajo që deputeti ndërtoi para shqiptarëve, është një histori e errët, për të cilën ai është i bindur se ka të drejtë. Por nuk është kjo çështja më e rëndësishme. Tani duhet të dimë qartë dhe shkoqur se cili gënjen në këtë mes. Dhe për ta bërë këtë, drejtësia dhe institucionet e hetimit duhej të kishin bërë me kohë atë që duhej të bënte: të ndiqte procedurat normale të hetimit të një akti të rëndë të pretenduar.
 
Dje qarkullonte në rrjetet sociale një copë letër e vizatuar shkeleshko, në të cilën ishin hedhur disa kuadrate, të lidhura mes tyre me shigjeta të shtrembëra, ku dukeshin fytyrat e protagonistëve të “Tomgate”, emra lokalesh, motori i picave, djali me bluzë portokalli etj etj. Një parodi e vizatuar e asaj që thuhet se ka ndodhur me deputetin Tom Doshi. Por njëherësh një ironi therëse e mënyrës groteske sesi ka marrë formë dhe është konsumuar kjo histori, e cila do të qe tejet dramatike, edhe po të vërtetohej në një të dhjetën e saj.
Ky vizatim është në fakt një mesazh therës për të gjithë shoqërinë shqiptare. Ai mbart mesazhin e kaosit, dobësisë dhe mungesës totale të organizimit të shtetit shqiptar e institucioneve të tij. Pavarësisht sesa i pranueshëm dhe i vërtetë është pretendimi i Tom Doshit sot, pavarësisht se cili është rezultati i hetimit që po kryhet nga organet përkatëse, shteti dhe institucionet janë sjellë rrëmujshëm dhe në mënyrë amatoreske me këtë rast. Kjo duhet pranuar.
 
Nëse, fjala vjen, policia dhe prokuroria, nuk do të kishin pirë vetëm kafe në zyrë me Doshin dhe Bamin gjashtë muaj më parë, duke i përcjellë ata pa i ndjekur procedurat standarte, sot nuk do të kishim bombën politike që përjetuam gjatë kësaj jave. Me shumë gjasë, e gjitha kjo histori do zinte shtratin e saj real, pa u fryrë e maisur me lloj-lloj emrash, vendesh e ngjarjesh që një zot e di çfarë janë. Gjashtë muaj më parë, nëse Durim Bamit (dhe të tjerëve) do t’u futeshin këmbët në një këpucë, për të treguar të vërtetat ose gënjeshtrat e tyre, sot nuk do kishim histori të ngjashme me letërsinë e verdhë të Agata Kristit, që ka pushtuar faqet e mediave.
 
Prokurori i përgjithshëm, i cili lëshon deklarata tymuese për ngjarje “që do ndryshojnë fatet e vendit”, bën mirë të kuptojë më në fund se nuk do të mbijetojë në atë post duke u bërë urë e përjetshme e politikës, por se do ta mbajë vendin që ka dhe reputacionin që pretendon se ka, duke bërë detyrën e tij. Përmasat e krizës që shkaktuar rasti Doshi, janë pasojë e mosveprimeve të institucionit të tij, në kohën dhe vendin e duhur. Kjo vrasje kafenesh, me plot versione, thashetheme e histori “fantastiko-shkencore”, është produkti i vetëm i mundshëm i një shteti që nuk funksionon.