Njihuni me Gramozin, mjeshtrin e gurit nga Berati që punon për restaurimin e Pazarit të Gjirokastrës

Me të njëjtin vullnet dhe dëshirë ai po punon për restaurimin e godinave muzeale në Gjirokastër, ashtu sikurse ka punuar në vendlindjen e tij, qytetin e Beratit. Gurskalitësi beratas, Gramoz Shameti, është pjesë e mjeshtrave që punojnë për restaurimin e Pazarit karakteristik të Gjirokastrës.

Për mjeshtrin Gramoz, të dyja qytetet muze kanë një element të përbashkët, simbolikën e gurit. “Në Berat, ashtu sikurse në Gjirokastër, gjithçka është e ndërtuar në gur rrugët e kalldrëmta, kalaja, shtëpitë karakteristike. Të dyja qytetet historinë dhe vlerat e tyre i kanë ngritur mbi gurin”, thotë mjeshtri gurskalitës. Është kjo prani e gurit të skalitur, çka e nxiti Gramozin të bëjë të vetin zanatin e gurgdhendjes. “Megjithëse zanatin e skalitjes së gurit nuk e kam trashëgimi familjare, sërish me të më lidh jeta ime. Unë jam lindur dhe jam rritur mes shtëpive të gurta beratase, kam ecur në rrugët e kalldrëmta qysh fëmijë.

Është pikërishst kjo lidhje me gurin që më nxiti të mësoj mënyrën e skalitjes dhe punimit të tij”, pohon Gramozi. Gjatë bashkëbisedimit tonë ai po i jep formën një guri për ta vendosur më pas në fasadën e godinës, në Pazarin e Gjirokastrës. Gjatë 40 viteve të punës me çekanin dhe daltën e gurgdhendësit ai ka skalitur dhe latuar muret e gurta të kështjellës së Beratit, muzeut Etnografik, shtëpive karakteristike të Mangalemit dhe Goricës. “Së bashku me mjeshtrat e tjerë të degës së monumenteve të kulturës në vite kemi restauruar shumë godina karakteristike. Puna jonë ka shërbyer për mbajtjen gjallë dhe trashëgimit tek brezat e rinj të vlerave arkitektonike dhe muzeale të Beratit”, pohon mjeshtri gurskalitës.

Për të, i veçantë është ndërtimi i muzeut Etnografik. “Punuam për muaj të tërë për ndërtimin e tij, zbukurimin me punime ne gur të mjediseve të brendshme dhe të jashtme. Megjithëse puna ishte e lodhshme, sërish ndiej kënaqësi që ky muze është kthyer në promovues të vlerave të traditës beratase”, thotë Gramozi.

Ndërsa skalit gurët për restaurimin e Pazarit karakteristik të Gjriokastrës ai ndien të njëjtin emocion ashtu sikurse ka punuar për mirëmbajtien e vlerave muzeale të Beratit. “Më vjen mirë që edhe këtu në Gjirokastër banorët me vlerësojnë për punën që bëj. Për mua bukuria e punimit të gurit është kudo e njëjtë”, thotë gurskalitësi beratas./konica.al