‘Nuk jetohet mes baltës dhe lagështirës’, banorët e pallatit te ‘Kodra e Shtufit’ dalin në protestë

Banorët e pallatit në lagjen ‘Kodra e Shtufit’, që rrezikoi shembjen nga rrëshqitja e tokës, nuk po gjejnë qetësi. Mbrëmjen e sotme ata kanë dalë në protestë te rruga nacionale, pranë vendit të quajtur ‘Ura e Lumit’. Banorët thonë se prania e baltës në pallat ka shkaktuar lagështi të madhe në shtëpitë e tyre dhe se deri më tani nuk është marrë asnjë masë.

 “Nuk jetohet në këto banesa me baltë e lagështirë. Të merren masa urgjentisht, pasi prania e baltës ka shkaktuar lagështi,” shprehen ata. Ditë më parë nisi aksioni për heqjen e baltës nga pallati 8-katësh në lagjen ‘Kodra e Shtufit’ në Gjirokastër, pas rrëshqitjes së një masivi dheu që përfshiu 3 katet e para të godinës. Këshilli Bashkiak Gjirokastër dha 13 milionë lekë të vjetra shpërblim për tre familje t këtij pallatit, apartamentet e të cilëve ishin dëmtuar më shumë.