Nxënësit në Gjirokastër pa ngrohje: Bashkia nuk solli lëndë djegëse

206567Nxënësit e shkollës së gjuhëve të huaja “Pandeli Sotiri” në qytetin e Gjirokastrës, mësojnë në kushte mjaft të vështira si pasojë e temperaturave ekstreme të ulta.

Në këtë shkollë, mësojnë kryesisht nxënës të ciklit të mesëm dhe 9-vjeçar të gjuhës greke dhe më së shumti ata janë ankuar këto ditë të ftohta, për mungesën e ngrohjes nëpër klasa.

Ndonëse kaldaja është funksionale, ajo nuk është vënë në punë pasi mungon lënda djegëse. Bashkia nga ana e saj e cila është përgjegjëse për garantimin e sistemit të ngrohjes nëpër shkollat e qytetit, nuk është përgjigjur fare ndaj kërkesave të këtij komuniteti nxënësish minoritarë të cilët i luten kryetares së bashkisë, të ketë vëmendje ndaj tyre.

Shqetësimin e tyre, e ka mbështetur edhe drejtori i shkollës Pandeli Papa.

Ky i fundit shprehet se Bashkia e Gjirokastrës, ka dhënë një sasi prej 30 litrash nafte për ngroghje gjë që është e barabartë për një ngrohje minimale një ditore, ndërkohë që sasia duhet të jetë dhjetëfish për të garantuar një ecuri të mësimit normal për të paktën 10 ditë.

Rasti i shkollës “Pandeli Sotiri”, nuk është i vetmi në Gjirokastër, pasi të gjitha shkollat në qytet, janë të ekspozuara karshi të ftohtit të këtyre ditëve, pasi nuk kanë lëndë ngrohëse.

Nga ana e saj Bashkia e Gjirokastrës, nuk ka dashur të prononcohet për këtë problem. /report tv