Operacioni “Prita”, bllokohet makina me drogë, pranga 28-vjeçarit

tmp_23727-droga6389680592Një operacion i policisë së Tepelenës i koduar “Prita” ka vënë në pranga një person, i cili është kapur me lëndë narkotike.

Gjatë natës së lënë pas është bërë ndalimi i 28- vjeçarit nga Saranda, Nikolas Hamzai.

Arrestimi i tij u bë pasi mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një automjet tip “Citroen” transportonte lëndë narkotike, është ngritur një pikë kontrolli në aksin rrugor Tepelenë – Progonat në vendin e quajtur “Kryqëzimi i rrugës” që shkon në fshatin Progonat.

Në pikën e kontrollit është afruar mjeti me targa AA 861 JJ, i cili drejtohej nga Hamzai. I riu bashkë me makinën u shoqërua për në ambientet e Drejtorisë së Policisë Gjirokastër për një kontroll më të imtësishëm.

Nga kontrolli i mjetit rezultoi se në pjesën poshtë sediljeve të para ishte përshtatur një hapësirë, brenda së cilës u konstatuan 7 pako me lëndë narkotike të dyshuar si Cannabis Sattiva të mbështjella me qese dhe me natriban me peshë totale 7.5 kg.

Mësohet se i ndaluari lëndën narkotike po e transportonte në drejtim të Sarandës. Ndaj të ndaluarit vijojnë ende hetimet ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”