“Para meshës, Papa do të përshkojë bulevardin për t’u takuar me njerëzit”

POPE FRANCIS INAUGURATION MASSVizita e Papa Françeskut në Tiranë po afron. Koordinatori i kësaj vizite, Albert Nikolla, ka shpjeguar detajet e kësaj vizite. Ai ka thënë se para meshës, Papa do të përshkrojë bulevardin për t’u takuar me njerëzit.

“Momenti më kulmor i vizitës së Papës në Shqipëri është mesha që ai do të mbajë në sheshin “Nënë Tereza”. Nisja e avionit nga Roma bëhet rreth orës 7.30 të datës 21 shtator. avioni mbërrin këtu rreth orës 8.45 minuta. Në orën 9.00, në aeroport do të ketë një ceremoni për takimin e Kryeministrit Rama me Papën Françesku. Pas kësaj ceremonie, do të bëhet një tjetër ceremoni në Presidencë me Presidentin e Republikës, që është ceremonia e dy krerëve të shteteve, duke respektuar edhe protokollin e shtetit të Vatikanit, edhe të shtetit shqiptar.

Pas kësaj ceremonie, Papa, duke pasur parasysh edhe natyrën e takimeve me njerëzit, që vetë i ka nxitur, i ka mbështetur përherë, para se të fillojë kremtimin e meshës, ka dëshirë të takohet me njerëzit dhe do të bëjë një lëvizje me makinë nga Presidenca deri tek ura e Lanës dhe do të kthehet sërish; pra, xhiron e bulevardit për t’u përshëndetur me njerëzit, që kanë ardhur aty dhe kanë dëshirën ta shikojnë nga afër Atin e Shenjtë.

Mesha fillon në orën 11:00 dhe para ardhjes së Papës, parashikohet një program i gjatë me muzikë, me këngë kishtare, me disa pjesë Ave Maria dhe disa këngëtarë që janë përzgjedhur posaçërisht për këtë moment.

Në sheshin “Nënë Tereza” janë disa vende të rezervuara, rreth 1500 vende, për të cilat janë dërguar ftesa nga Kisha Katolike dhe nga Protokolli i Shtetit. Personat që do të ulen në këto karrige janë me ftesë dhe duhet të jenë aty para orës 8.30. Përveç kësaj pjese, që zë një pjesë të konsiderueshme të numrit të të ftuarve, rreth 40%, pjesa tjetër është e ftuar nga ipeshkvitë e Kishës Katolike, nga koordinatorë, meshtarët, persona që kanë punuar për këtë vizitë. Këtu do të doja të shtoja se nuk është thelbësore për një person që ndjek meshën, veçanërisht besimtarë katolikë, të jenë të ulur. Numri ka qënë i kufizuar. Pjesa më e madhe e njerëzve që do ta ndjekin meshën do të rrinë më këmbë dhe kjo, mendoj nuk është e rëndësishme për një besimtar katolik”, ka thënë ai për Ora News.