Para të padeklaruara në kufi, kapen 30 mijë euro në Kakavijë

Policia e Gjirokastrës njofton për kapjen në Kakavijë të një shume parash të padeklaruara në kufi. Më poshtë njoftimi i shpërndarë për mediat.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe bazuar në analizën e riskut, mëngjesin e sotëm, në dalje të RSH-së, kanë ndaluar për kontroll në vijën e dytë, mjetin tip “SUZUKI” me drejtues shtetasin C. Z., 64 vjeç, lindur në Himarë dhe rezident në Greqi.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, i gjetën të fshehura në një çantë dore 30 800 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, u procedua penalisht shtetasi C. Z., për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.