Parashikimet: Shqipëria fiton ndeshjen me Serbinë

shqiperi_1“Me vetëm një pikë në tabelë, Serbia është e eliminuar nga Euro 2016. Ndërsa Shqipëria beson dhe dëshiron të jetë pjesëmarrëse e këtij kompeticioni të madh. Për këtë arsye do të bëjë gjithçka për të marrë një rezultat pozitiv, duke shpresuar gjithashtu që edhe Danimarka të mundet në Portugali. Parashikimi: 1 (fiton Shqipëria).” Ky është parashikimi që bën blastingnews për ndeshjen Shqipëri – Serbi që do të luhet në Elbasan Arena të enjten e 8 tetorit.

Jo vetëm kaq. Edhe parashikimi për Portugali – Danimarkë shkon në favor të Shqipërisë. “Portugalia, e para në grup është shumë afër kualifikimit. Ajo do të përballet me rivalen më të rrezikshme, Danimarkën, por e vetëdijshme që në këtë ndeshje që ka në shtëpi mund të mbyllë llogaritë. Parashikimi: 1” thuhet në faqen e blastingnews.

Edhe kompanitë e basteve favorizojnë Shqipërinë. Realdealbet dhe 10Bet e japin koeficientin 2.4 për fitorene Shqipërisë, 3.35 për barazim dhe 2.75 për fitoren e Serbisë.

Ka edhe nga ato kompani që shohin Serbinë si fituese. Bwin i jep më shumë shansa Serbisë me 2.50, ndërsa Shqipërisë me 2.60.

Kreu i FSHF, Armando Duka nuk ka dyshim tek fitorja. “I bindur që arrijmë kualifimin me 8 tetor” u shpreh ai.

Veç garës, autoritetet shqiptare janë përqendruar shumë tek siguria, për të evituar ngjarje të ngjashme si ato të 14 tetorit të vitit të shkuar në stadiumin Partizani të Beogradit. Qyteti i Elbasanit do të jetë i paralizuar të enjten.

Policia njoftoi tifozët se hyrja do të bëhet 4 orë para nisjes së ndeshjes, në orën 16.30 dhe do të mbarojë në orën 20.15. Pas këtij orari nuk do të lejohet më hyrja në stadium.

1 400 forca policore do të jenë të angazhuara për të ruajtur qetësinë. 300 punonjës sigurie janë kontraktuar nga FSHF.

Në orën 08:00 do të bllokohen disa segmente rrugore si dhe do të ndalohet qarkullimi i mjeteve në  bulevardin “Qemal Stafa dhe në bulevardin “Aqif Pasha”.

Nuk do të lejohet parkimi i mjeteve nga rrethrrotullimi i luleve deri tek rrethrrotullimi i Zaranikës, as përballë dhe përreth stadiumit dhe në dy bulevardët kryesorë.

Tifozët duhet të jenë të pajisur me karta identiteti. Policia njofton se ata nuk duhet të kenë me vete sendet të rrezikshme si:

a) sende të forta,

b) shishe (të çfarëdolloj)

c) fishekzjarrë

d) monedha apo metale (të çfarëdolloj)

Policia thotë se personat të cilëve u gjenden të tilla sende, nuk do të lejohen të futen në stadium