Pas Kishës së Labovës, gati restaurimi edhe për Xhaminë e Pazarit të Gjirokastrës

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skender Bruçaj, dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, firmosën marrëveshjen për restaurimin e 5 xhamive të ndryshme në vend, të tilla si: xhamia e Et’hem Beut në qendër të Tiranës, xhamia e Beqarëve, xhamia Mbret dhe Teqeja Halvetiane në Berat si dhe xhamia e Pazarit në Gjirokastër.

Kryetari i KMSH-së Brucaj, bëri një rezyme të shkurtër të xhamive të ndërtuara dhe të restauruara deri më tani si bashkëpunim i institucionit që ai drejton me Ministrinë e Kulturës. Ai njohu të pranishmit me nevojën për restaurim të xhamive të lartë përmendura, ku ndër të tjera u shpreh se “këto xhami, këto objekte kulti janë burim drite për të gjithë sytë, jo vetëm të besimtarëve myslimanë por për të gjithë sytë e shqiptarëve pasi ato janë pjesë e historisë, e kulturës dhe e trashëgimisë tonë të përbashkët, është amaneti jonë që do ta ruajmë e do t’jua përcjellim ashtu siç na e lanë të parët tanë, brezave të ardhshëm”.

Ndërsa Ministrja Kumbaro, në fjalën e saj shtroi rëndësinë e bashkëpunimit jo vetëm me komunitetet fetare në vend, por më të gjithë faktorët e nevojshëm për të mirëmbajtur dhe përfaqësuar denjësisht pasuritë tona kulturore.

“Padyshim objektet e kultit janë një pjesë shumë e rëndësishme e trashëgimisë tonë kulturore, qoftë xhamitë, kishat katolike, kishat ortodokse, teqetë, kalatë, urat apo edhe ndërtesat. Të gjitha këto janë pasuri kolektive, dhe është shumë e rëndësishme që mirëmbajtja e tyre, të jetë po aq përgjegjësi kolektive duke ndarë qartazi detyrat përkatëse. Unë besoj që kemi mbërritur në një moment kur kjo përgjegjësi, ky ndërgjegjësim i aktorëve të ndryshëm në shoqëri për ta mbajtur gjallë trashëgiminë tonë kulturore është në një shkallë shumë më të lartë se më parë”.- u shpreh ajo.

Më tej, të dy krerët e institucioneve nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit, ku sipas të cilës puna për restaurimin e xhamive do të fillojë menjëherë.