Pas Ylli Muhos, Zamira Rami bën “kurban” një tjetër socialist. Çfarë fshihet pas kësaj lufte?

Pak kohë pas shkarkimit të nënkryetarit të Bashkisë Gjirokastër, Ylli Muho, kryebashkiakja Zamira Rami shkarkon një tjetër përfaqësues të Partisë Socialiste.

Është fjala për Fadil Bojon, drejtor i Punëve Publike. Shkresa me firmën e Ramit i është komunikuar nga nënkryetari i Bashkisë, por pa i dhënë motivacionin.

Pas këtij vendimi me siguri fshihet pozicioni i Fadil Bojos si koordinator i PS-së për lagjen “18 Shtatori” në Gjirokastër.

Burime të ArgjiroLajm.net bëjnë me dije se përfaqësues të PS-së të mbetur ende në administratën e Bashkisë Gjirokastër janë nën presion prej kryebashkiakes, e cila i vendos përballë zgjedhjes: Ose kaloni haptaz pro LSI-së ose vendi i punës rrezikohet.

Burimet thonë se pritet të ketë shkarkime të tjera në ditët e ardhshme. Situata brenda LSI-së jo vetëm në Gjirokastër, por në rang kombëtar nuk është e qetë pas marrëveshjes Rama-Basha, e cila parashikon që çdo parti të hyjë e vetme në zgjedhje, jashtë koalicioneve.

Kjo do ta penalizonte shumë LSI-në dhe partitë e tjera të vogla pasi të qenit jashtë koalicioneve i jep një numër më  të vogël deputetësh. Mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen ngjarjet në vijim.

/ArgjiroLajm.net/