Pasi ka humbur dy palë zgjedhje në Gjirokastër, Tritan Shehu beson ende: Kësaj radhe do i fitojmë të 3 bashkitë

Në përfundim të zgjedhjeve në degën e Partisë Demoktratike në Gjirokastër, deputeti Tritan Shehu zhvilloi një takim me strukturat e kësaj partie. Në fjalën e rastit, pasi uroi dhe kryetarin e ri Dasho Aliko, Shehu tha se tashmë janë të gjitha mundësitë që PD-ja të fitojë 3 bashkitë në zgjedhjet e qershorit 2019; Gjirokastrën, Libohovën dhe Dropullin.

“Kryetari i partisë që u zgjodh është njeriu i rëndësishëm, por që vetëm s’mund të bëjë asgjë. Prandaj gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë është të jemi së bashku”, u tha Shehu demokratëve të Gjirokastrës.

Kujtojmë që PD ka humbur dy palë zgjedhje nën drejtimin e Tritan Shehut. Disfatë në zgjedhjet lokale të vitit 2015 dhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Kjo do të jetë prova e tij e radhës. Shprehja ‘e treta e vërteta’ nuk vlen për Tritan Shehun në këtë rast dhe as për PD-në. Zgjedhja e Dasho Alikos si kryetar partie, por edhe zhvillime të tjera brenda opozitës, nuk janë një lajm i mirë që mund ta çojnë këtë forcë drejt fitores.