Pavarësia e Shqipërisë, delegati nga Libohova që u bë ministri i parë i Brendshëm

kfdskgfndkMë 28 nëntor 1912 në Vlorë ishin mbledhur personalitetet më të shquara të kombit shqiptar, të cilët nën udhëheqjen e Ismail Qemalit shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Krahas shumë të tjerëve protagonist i këtij momenti historik ishte edhe Mufid bej Libohova, ai që më pas do të bëhej ministri i parë i Brendshëm i shteti shqiptar. Mufid bej Libohova nuk ishte ndër 40 firmëtarët e Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, por një prej 83 delegatëve që morën pjesë në punimet e Kuvendit të Vlorës, të cilat zgjatën deri në datën 4 dhjetor 1912.

Ai ishte delegat i Gjirokastrës së bashku me Petro Pogën, kryebashkiakun e Gjirokastrës (i thirrur Hasib), Jani Papadhopullin, Elmaz Boçen, Veli Harxhin dhe Azis Efendi Gjirokastrën. Mufid bej Libohova, sipas dokumenteve arkivore, mbërriti në Vlorë në datën 3 dhjetor 1912, një ditë përpara se të formohej qeveria e parë shqiptare. Ditën e shpalljes së pavarësisë, ai ka qenë në Reshadie (Gumenicë) dhe ka pasur komunikim telegrafik me Eqerem bej Vlorën. Në votimin e kuvendit për ministrat Mufid bej Libohova fitoi që në raundin e parë 52 vota, u rendit i dyti, pas Luigj Gurakuqit.

Ai është ministri i parë për Punët e Brendshme i shtetit të pavarur shqiptar dhe më vonë ministër i Jashtëm, detyrë të cilën e mbajti deri në fundin e vitit 1913. Në postin e ministrit të Brendshëm përgatiti që në mbledhjen e parë disa akte që lidheshin me sigurinë e brendshme dhe mënyrën e veprimit të forcave të sigurisë në vend.