PD Libohovë i quan “mercenarë” anëtarët e PS-së në KZAZ

01Partia Demokratike e Libohovës, i quan “mercenarë” anëtarët e Partisë Socialiste në Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ). Ky qëndrim është sinjali i parë se në këtë fushatë zgjedhore, do të kemi edhe sulme të kësaj natyre, që më shumë janë diversion për palën tjetër dhe s’kanë të bëjnë fare me atë cfarë presin libohovitët të dëgjojnë për zhvillimin e zonës. Por si është puna në të vërtetë? Përmes faqes në Facebook, PD e Libohovës njofton për konstituimin e Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor dhe shkruan:

”Partia Socialiste vjen me antare komisioni “mercenare” nga Dropulli, Gjirokastra e Valareja! Kaq poshte ka rene pjaca, sa nuk paska djem e vajza libohovite apo nga zona te shkolluar qe aderojne me kete parti?! Pa le pastaj, qe kjo dukuri bie ndesh edhe me Kodin Zgjedhor, i cili thote se antaret e KZAZ-se duhet te jene votues te zones zgjedhore!!!”

Postimi në fjalë shoqërohet edhe me emrat e anëtarëve të KZAZ-së. Pjesa më serioze e këtij shënimi, është ajo ku thuhet se bie ndesh me Kodin Zgjedhor nëse anëtarët e KZAZ-së nuk janë nga zona zgjedhore. Po qe se kjo është e vërtetë, patjetër që anëtarët e kësaj KZAZ-je duhen ndryshuar, për të patur një proces zgjedhor konform ligjit.

Pjesa e tjetër e shënimit, me etiketën “E paparë!” s’ka ndonjë ndryshim nga teatri i shëmtuar që shqiptarët shohin cdo të enjte në parlament. Kjo në fakt nuk është ajo që i duhet qytetarëve. Libohovitët duan të dijnë cfarë ofron kandidati i PD-së dhe cfarë ofron kandidatja e PS-së për zhvillimin e zonës. Përpjekja e PD-së Libohovë që gjasme po i qan hallin PS-së se ka mbetur pa njerëz të aftë, është thjesht diversion dhe tentativë për të hequr vëmendjen nga ato probleme per te cilat libohovitet presin zgjidhje nga kandidatët në garë.

Kjo nuk është fushata që i duhet Libohovës. Kandidatët në garë s’kanë pse flasin as me gjuhën e Ramës e as me të Saliut, por të dalin dhe të tregojnë cili është vizioni dhe projekti i tyre për Libohovën. Ta nisësh debatin zgjedhor me kundërshtarin se kush i ka komisionerët më të shkolluar, është vërtet jashtë cdo interesi të qytetarëve që duan të dinë programin e Altin Comos dhe Luiza Mandit. Pastaj, po t’i hedhësh një sy të shpejtë kësaj liste, e kupton që shpesh në Shqipëri njerëzit e barazojnë diplomimin me shkollim.

Në fakt, jo kushdo që ka një diplomë quhet i shkolluar. Por edhe kjo është një cështje komplet jashtë interesit të zgjedhësve. Fushata ka për të qenë e dështuar nëse ajo nuk do të shndërrohet në një garë alternativash të qarta. Sharjet, shpifjet dhe etiketimet i kurseni, aq më tepër në një vend të vogël si Libohova, ku të gjithë janë o krushq o kushërinj me njëri-tjetrin.

02