PD prezanton kandidatët në Gjirokastër, Tritan Shehu: Sot e tutje të buçasin motorat e fitores

Partia Demokratike në Gjirokastër ka prezantuar mbrëmjen e sotme kandidatët e saj për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit: Tritan Shehu, Roland Bejko, Entela Shehaj, Kosta Barka, Myzafer Elezi, Joana Qerollari dhe Bajram Hysa. Në fjalën e mbajtur para strukturave të PD-së, Tritan Shehu si drejtues politik i qarkut kërkoi angazhim maksimal për të marrë një rezultat të mirë. Ai tha se objektivi i PD-së janë dy mandate.

“Jemi përballë me ekipin e fitores. Sot hyjmë në fushatën e vërtetë elektorale. Ajo që bëmë në këto muaj ishte shumë e rëndësishme, përgatitore, kolauduse, mobilizuese. Nxehja në tërësi ka krijuar një jehonë te njerëzit, ka ndezur motorat. Por që sot e tutje këto motora duhet të buçasin nga zhurma e fuqisë së plotë të tyre, duhet të buçasin për të dhënë sinjalin e fitores tonë. Ne do të fitojmë sepse kemi mbështetjen e njerëzve”, tha Tritan Shehu duke mos harruar dhe zakonin e vjetër, solli përshëndetjet e Lulzim Bashës për demokratët.