PD thyen rekord në Gjirokastër, vetëm dy anëtarë s’kanë votuar. Pjesëmarrja të lë pa fjalë…99.8%

Rikonfirmimi i Lulzim Bashës në krye të PD-së me 91% të votave është ironizuar nga kundërshtarët e tij brenda partisë, të cilët i kanë kujtuar zgjedhjet në Korenë e Veriut, si dhe e kanë akuzuar për mbushje të kutive me vota fiktive pasi anëtarësia e PD-së e refuzoi. Por le të analizojmë pak votat në rrethin Gjirokastër ku ka disa të dhëna që nuk përputhen. Zyrtarisht kreu i PD Gjirokastër, Roland Bejko, ka folur dje për 1200 anëtarë.

Ndërsa për Tepelenën ishin 263, për Përmetin 525, për Këlcyrën 438 dhe për Memaliajn 412 anëtarë. Në total në rang qarku sipas këtyre shifrave, janë 2838 anëtarë. Por gjatë gjithë ditës dje, komisioni i zgjedhjeve në selinë e PD-së, për qarkun Gjirokastër ka raportuar për 3587 anëtarë. Kjo është mospërputhja e parë.

Element tjetër i çuditshëm është rezultati në kutinë e Gjirokastrës (si rreth), ku nga 1200 anëtarë kanë votuar 1198. Pra, 99.8%. Vota është ndarë 1069 për Bashën dhe 129 për Selamin. Sipas këtij rezultati vetëm 2 anëtarë të PD-së nuk kanë votuar. A janë mbushur kutitë e votimit me vota fiktive sikundër është shprehur sot ish-nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli?

Nuk e themi dot me siguri, për aq kohë sa s’kemi prova, por kjo pjesëmarrje është e çuditshme dhe le vend për dyshime. Madje tejkalon edhe pritshmëritë që Roland Bejko shprehu dje në një komunikim me mediat. Ai tha se shumica e anëtarëve janë larguar në plazh, por edhe në emigracion pasi kanë humbur shpresën në këtë vend, duke shtuar se priste një pjesëmarrje në nivelin 70-80%. Por befas rezulton që pjesëmarrja në kutinë e Gjirokastrës është 99.8%. Mos vallë të larguarit braktisën plazhet apo u kthyen nga emigracioni?! Po vota të pavlefshme nuk kishte fare në kuti?

Dyshimet për rezultat fiktiv shtohen më tej edhe nëse analizojmë pjesëmarrjën në katër qendrat e tjera të qarkut. Në Tepelenë dhe Memaliaj pjesëmarrja është 86%. Në Këlcyrë 64%. Në Përmet 52%. Si shpjegohet që ka pjesëmarrje 99.8% vetëm në kutinë e qarkut Gjirokastër? Pjesëmarrje që të kujton zgjedhjet në kohën e komunizmit në Shqipëri, apo ndoshta në kohët e sotme në Korenë e Veriut. Sidoqoftë për aq kohë sa s’kemi prova për manipulim të rezultatit, nuk mund të themi me siguri që kutitë janë mbushur me vota fiktive.

Rezultati duket i çuditshëm në sytë e të gjithëve nëse sjell në vëmendje edhe një fakt tjetër. Demokratët që refuzuan të votonin në 25 qershor për ‘Republikën e re’ të Bashës, pasi mungojnë rreth 200 mijë krahasuar me zgjedhjet e para 4 viteve, befas u derdhën lumë më 22 korrik të votonin për të rikonfirmuar Lulzim Bashën në krye të PD-së.

Më poshtë numri i anëtarëve në çdo degë të qarkut Gjirokastër dhe rezultatet nga numërimi i votave, si dhe deklaratat e djeshme nga kryetari iPD Gjirokastër, Roland Bejko.

/ArgjiroLajm.net/