Përse Platini mendon si serbët

16896247044f6344a080acc908503016_v4bigNga Kevin Sinani

“Imagjinoni sikur droni të kishte bombë”, u shpreh presidenti i UEFA-s Michel Platini gjatë kohës që po komentonte incidentet e ndodhura në ndeshjen midis Serbisë dhe Shqipërisë. Një deklaratë aq sa qesharake por edhe aq serioze për të ardhmen e vendimit që institucioni i drejtuar nga francezi do të marrë në lidhje me dhunën në stadiumin e Beogradit.

Platini nuk komentoi dhunën ndaj lojtarëve shqiptarë, koret rraciste, hedhjen e sendeve në fushë, presionin psikologjik ndaj skuadrës dhe zyrtarëve shqiptarë etj, por me një imagjinatë të cilën do e kishin zili vetë serbët dhe Hollivudi, ai u shpreh se “rrezikshëmria e dronit ishte e lartë për shkak se mund të mbante edhe një bombë”.

Në rast se e marim të mirëqënë “bombën” e Platinisë, kush duhet ta ndalonte atë të hynte në stadium, Federata Shqiptare apo organet serbe? Ku organizohej ndeshja dhe kush mban përgjegjësi për atë që ndodh në fushën e lojës dhe sigurinë e të pranishmëve në stadium?

Po në rast se ai dron i telekomanduar (nga shqiptarët) do të mbante edhe një bombë ndaj kujt do të bëhej atentati, vetëm ndaj futbollistëve dhe 30 mijë tifozëve serb? Mos vallë lojtarët, stafi i kombëtares dhe tifozët e pakët shqiptarë që ndodheshin në stadium kishin me vete mburoja anti-bombë, apo edhe ata do të “sakrifikoheshin” në shpërthimin e “bombës” së Platinisë për hir të “Shqipërisë Etnike” që valëvitej në stadium?

Ndoshta Platini, si zyrtari më i lartë i futbollit europian përpara se të bëjë këto deklarata duhet të interesohet më parë për sigurinë në të cilën ndodhej Beogradi përpara ndeshjes dhe kontrollet që i’u bënë shqiptarëve në aeroporte dhe pika kufitare nga policia serbe. Një flamur ndoshta edhe mund të fshihet nga syri i xhandarmërisë, por një bombë është e vështirë që të kalojë lehtësisht në aeroport në të kundërt tashmë ISIS do të kishte bërë namin në Perëndim.

Megjithatë, halli i Platinisë nuk qëndron tek fakti se ai dron të cilin autoritetet serbe nuk kanë mundur të gjejnë se kush e komandonte, do të kishte një bombë apo jo. Platini prej disa kohësh është duke menduar se si të ngjitet në krye të FIFA-s, aty ku Joseph Blatter është gati për tu rrëzuar. Platinisë i duhen vota dhe duhet të pranojmë se lobi serb në futboll është më i madh se ai shqiptar. Futbollistë, tranjerë, ekspertë futbolli serb ndodhen në nivele më të larta se shqiptarët.

Drejtuesi i UEFA-s me sytë nga FIFA është duke bërë mirë llogaritë për të përbushur synimet e tij.

Gjithsesi, për të mos paragjykuar që tani vendimin që do të marrë UEFA, ky institucion duhet të ketë parasysh se që prej vitit 1930 kur edhe është krijuar Kombëtarja Shqiptare në stadiumet shqiptare nuk është vërejtur asnjë incident serioz ndaj kundërshtarëve tanë në fushë apo tribuna. Nuk është folur kurrë për huliganë shqiptarë në shkallët e stadiumit, apo për kore raciste në atë masë që u dëgjuan në Beograd. E jo më të flasësh për viktima në stadiumet shqiptare ashtu siç ka ndodhur me bashkëkombasin e Platinisë në Serbi.

Platini përpara se të “bashkohet” me serbët duhet të ketë parasysh gjithashtu edhe paraqitjen e tifozëve shqiptarë në stadiumet e huaja. Me mijëra shqiptarë ndodheshin në stadiumin e Zvicrës gjatë ndeshjes për eleminatoret e Botërorit. Ishim më shumë se vendasit, por ishim atje për të mbështetur Kombëtaren tonë dhe jo për të fyer fqinjët dhe për të djegur flamujtë e tyre, siç bëjnë huliganët serb në stadiumet e botës me flamurin shqiptar.

Ajo bombë e hamendësuar nga Platini ka një efekt shpërthimi të madh tek nacionalizimi serb, i cili prej kohësh i etiketon shqiptarët si terroristë. Është e pafalshme se si drejtuesi i UEFA-s dhe një njeri si Michel Platini arrin që të mbajë një qëndrim të tillë të njëjtë me nacionalistët serb, duke na lënë të kuptohet se dëshira për të arritur FIFA-n është më e madhe se detyra për të për të mbajtur një qëndrim të drejtë dhe të paanshëm.

Libohova Online