Pescara “parakalon” Bolognan, favorite për të marrë Ajetin

Arlind-Ajeti-2-300x221Pescara në “pole-position” për të firmosur me Arlind Ajetin.

Nëse disa ditë më parë mediat italiane raportonin se mbrojtësi i kombëtares shqiptare ishte shumë pranë kalimit te Bologna, në skenë për 22-vjeçarin ka dalë sërish skuadra e sapongjitur në Serinë A.

Lajmi bëhet i ditur nga eksperti i merkatos në Apenine, gazetari Gianluca Di Marzio, i cili në faqen e tij shkruan se është Pescara ekipi që ndodhet më pranë Ajetit, madje drejtuesit e klubit abrucez po përshpejtojnë për të mbyllur sa më shpejt marrëveshjen me mbrojtësin e kombëtares kuqezi.

Trajneri i Pescarës, Massimo Oddo i ka ndjekur me vëmendje paraqitjet e Ajetit gjatë sezonit të kaluar me Frosinonen dhe dëshiron ta ketë me cdo kusht në skuadrën e tij shtatlartin e prapavijës.

Pasi ka parë edhe formën që ka shfaqur Ajeti me Shqipirinë në Euro 2016-të, ish-mbrojtësi i Lazios dhe Milanit është bindur plotësisht për aftësitë që zotëron 22-vjeçari dhe me të drejtë Oddo po lobon fuqishëm te drejtuesit e Pescarës për t’i bindur këta të fundit të firmosin me mbrojtësin.

Në garën për të marrë shërbimet e Ajetit, klubi abrucez ka parakaluar Bolognën, megjithatë fjalën e fundit se ku do të luajë në sezonin e ri do ta thotë vetë Arlind Ajeti.

Për qendërmbrojtësin kanë shfaqur interes edhe klube nga Anglia dhe Gjermania, por në një intervistë ekskluzive për Supersport pak ditë më parë, Ajeti nënvizoi se ai dëshiron të qëndrojë në Serinë A dhe shanset më të mëdha për të firmosur me të i ka Pescara./SuperSport