Pilotimi në Gjirokastër, finalizohet projekti “Re-Source”, Shqipëria forcon kapacitetet shtetërore për menaxhimin e burimeve natyrore

 Pilotimi në Gjirokastër, finalizohet projekti “Re-Source”, Shqipëria forcon kapacitetet shtetërore për menaxhimin e burimeve natyrore

Pas 3 vitesh pune është përmbyllur me sukses projekti Re-Source për sigurimin e shërbimeve për menaxhimin e burimeve natyrore, i implementuar nën “Programin e Bashkëpunimit  Transnacional INTERREG Ballkan – Mesdhetar 2014-2020” dhe i bashkëfinancuar nga Fondi Europian Rajonal i Zhvillimit, Instrumenti IPA dhe nga fondet kombëtare të shteteve pjesëmarrëse: Greqi, Qipro, Shqipëri, Bullgari dhe Maqedoni e Veriut.  Ky projekt trajtoi nevojën për përmirësimin e kapaciteteve të qeverisjes ndërkufitare në lidhje me: Menaxhimin e ujërave të kullimit; Kodet për praktikat më të mira bujqësore (CGAP); Vlerësimin e riskut nga errozioni i tokës.

Zbatimi dhe Objektivat

Për Shqipërinë projekti është zbatuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, ndërsa pilotimi është kryer në qarkun Gjirokastër ku shtrihet gjithashtu baseni ujëmbledhës i lumit Vjosë. Edhe takimi final me pjesëmarrjen e aktorëve të përfshirë në këtë projekt u zhvillua në qytetin e Gjirokastrës, ku ishte e pranishme gjithashtu edhe zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vlima Bello.

Objektivi kryesor i projektit ishte forcimi i aftësive të administratës publike në lidhje me menaxhimin e burimeve ujore dhe të tokës, mbrojtjen e mjedisit dhe zbatimin e kuadrit ligjor përkatës. Ndërsa nën-objektiva të tjerë synojnë përmirësimin dhe personalizimin e mjeteve dhe shërbimeve ekzistuese dixhitale në lidhje me kullimin e saktë të ujërave, vlerësimin e kodeve dhe praktikave më të mira bujqësore dhe vlerësimin e riskut të erozionit të tokës në shkallë të gjerë.

Përfituesit

Përvoja e fituar nga entet publike përgjatë implementimit të këtij projekti do të kontribuojë në implementimin e Direktivës Kuadër të Ujit, por pritet të ketë edhe një impakt domethënës në zhvillimin ekonomik e mjedisor përgjatë zonës ku shtrihet baseni i Vjosës. Përfitues direkt konsiderohen banorët e territoreve të vendeve pjesëmarrëse, veçanërisht brenda zonave të studimit, që do të përfitojnë nga menaxhimi i përmirësuar dhe monitorimi i burimeve lokale të tokës dhe ujërave. Në këtë rast janë banorët e Përmetit, Këlcyrës, Tepelenës, Memaliajt, Gjirokastrës e Vlorës. Përmes seminaresh e trajnimesh të ndryshme që janë zhvilluar përgjatë këtyre 3 viteve, institucione të ndryshme publike kanë përvetësuar tashmë njohuritë dhe aftësitë më të fundit shkencore e teknike në menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe monitorimin e objektivave mjedisore kombëtare dhe të BE-së. Po kështu edhe aktorë të tjerë që kanë marrë pjesë në këto trajnime fizikisht ose duke shfrytëzuar mjetet dixhitale të ofruara nga projekti. “Re-Source” mund të rezultojë i dobishëm për entet, grupet dhe individë nga zona të tjera gjeografike të cilat mund të gjejnë ndihmë dhe udhëzime për zbatimin e projekteve të ngjashme në të ardhmen.

Impakti

Deri në këtë fazë rezultatet janë impresionuese, por nevojitet një kohë më e gjatë për të matur realisht rezultatet e këtij projekti në rritjen e kapaciteteve kombëtare dhe lokale të institucioneve që bëjnë menaxhimin e integruar të burimeve ujore. Ndër të tjera “Re-Source” ka qenë një mundësi e shkëlqyer për vendin tonë për të forcuar bashkëpunimin ndërkufitar në burimet natyrore. Shqipëria dhe Greqia kanë një aset të jashtëzakonshëm sikundër është lumi Vjosa. Bashkërendimi i punës për mirëmenaxhimin e këtij baseni, për shfrytëzimin me kriter të ujit dhe për ruajtjen e florës dhe faunës, janë të domosdoshme për dy shtetet tona. Shqipëria sidomos në nivel lokal ka ende një nevojë të konsiderueshme për të rritur kapacitetet e veta në këtë drejtim. Ky krijon një vlerë të çmuar për të mbushur këtë boshllëk që ne kemi.

Dixhitalizimi

Vlerë tjetër e shtuar e projektit është promovimi që i ka bërë Strategjisë Evropë 2020 për rritje të zgjuar dhe të qëndrueshme përmes ofrimit të shërbimeve dixhitale dhe mjeteve të përparuara teknologjike që synojnë rritjen e kapaciteteve institucionale në menaxhimin e burimeve natyrore dhe shpërndarjen përkatëse të legjislacionit mjedisor. Shqipëria ka një përvojë të mirë në dixhitalizim të shërbimeve publike. Kjo përbën një avantazh në punën për implementimin me sukses të dixhitalizimit të legjislacionit mjedisor dhe metodave të reja të menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore.

Libohova Online