Pjesëmarrja në fushatën e LSI-së/ A do të shkarkohet Krenar Kulla, drejtori i spitalit Gjirokastër?

Ministri teknik i Shëndetësisë, Arben Beqiri ka shkarkuar nga detyra drejtorin e spitalit të Beratit, pas përfshirjes së tij në fushatën elektorale të LSI-së dhe për më tepër që ai po hetohet për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Por ky nuk është zyrtari i vetëm i shkarkuar në administratën publike.

Sa i përket Gjirokastrës, deri më tani është shkarkuar edhe një inspektor i Hetimit Tatimor, i cili u denoncua duke marrë pjesë në fushatën e PS-së. Nuk dihet ende nëse Ministri i Shëndetësisë do të shkarkojë apo jo edhe Krenar Kullën, i cili mban postin e drejtorit të spitalit “Omer Nishani” në Gjirokastër.

Kulla është gjithashtu edhe kryetari i LSI-së në këtë rreth. Siç shihet në disa prej fotove më poshtë, ai po merr pjesë aktivisht në takimet elektorale të LSI-së, edhe pse duhet thënë se këto takime zhvillohen kryesisht gjatë mbrëmjes.

Ndonëse qeveria miratoi pak ditë më parë një VKM për të penguar administratën publike të marrë pjesë në fushatën elektorale, në shumë raste kjo VKM është shkelur, ndërsa nuk është shumë e qartë se cila kategori nëpunësish e ka rreptësisht të ndaluar të marrë pjesë, jo vetëm në orarin zyrtar të punës, por edhe pas tij.

Mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme nëse do të ketë shkarkime në Gjirokastër, ku në fushatën e LSI-së janë të përfshirë gjithashtu edhe punonjës të Bashkisë dhe ndërmarrjeve në varësi të saj.

/Libohova Online/