Polakët zënë vëndin e parë në numrin e turistëve të huaj në Sarandë

sarande1Saranda është rritur si destinacion turistik dhe është një nga qytetet më atraktive në rajon”. Ky ka qënë vlerësimi i parë që ka shprehur në një shqipe të pastër Marek Jeziorski, ambasador i Republikes së Polonisë në Tiranë, në takimin me Kryebashkiakun e Sarandës, Stefan Çipa.

Diplomati polak tha se kjo ishte vizita e tij zyrtare në Sarandë, por se e njeh dhe e admiron këtë qytet, për të gjitha atraksionet që ka. Pasi u njoh me prezantimin e Sarandës nga Kryebashkiaku Çipa e sidomos për vendin kryesor që zënë turistët polake në tërësinë e flukseve të turistëve të huaj, ambasadori Jeziorski tha se është impresionuese që numri i tyre shkon në 12 mijë vetë.

Ai tha se është në mbështetje të autoriteteve lokale për ta bërë Sarandën edhe më të promovuar e më të frekuentuar, pasi shprehu konsideratë për rritjen e nivelit të infrastrukturës dhe rritjën e cilësisë së shërbimeve jo vetëm hoteliere. Ai tha se Saranda është tërheqëse në disa shikime, duke u ndalur në faktin që edhe rrethinat e saj ofrojnë mundësi të shumta për turizëm kulturor, historik etj. Diplomati polak ka shprehur dëshirën për një promovim më të mirë të gjuhës polake në Sarandë, ndërkohë që nga zoti Çipa iu tha se gjuha polake do të shtohet në versionet e përkthimit të guides së re turistike të Sarandës, përderisa polakët zënë vëndin e parë në numrin e turistëve të huaj.

Zoti Marek Jeziorski ka mirëpritur propozimin e zotit Çipa për të mbështetur vendosjen e marrëdhënieve të binjakëzimit me një prej qyteteve të Polonisë, me përparësi turizmin, për të përfituar në mënyrë më të drejtpërdrejtë nga eksperienca polake.

Jeziorski u interesua të dijë edhe opinionin e zotit Çipa për ndikimin që mendohet të ketë ndarja e re territoriale në zhvillimet e nesërme turistike. “Turizmi ka nevojë për zhvillime të integruara dhe këtë e realizon zmadhimi i njësive vendore, me ndarjen e re territoriale, për më tepër që Qeveria Rama pritet ta shoqeroje këtë proces edhe me zgjerim të kompetencave të Bashkive të reja, si dhe me decentralizim fiskal”, u shpreh Çipa.

Mes tij dhe ambsadorit polak u shkëmbyen mendime për turizmin e Konferencave, si dhe për mundësinë e organizimit të “Ditës së Sarandës” në Poloni e për mundësimin e pjesëmarrjes së Sarandës në Panairin e specializuar për turizmin që organizohet atje.

Në takimin Çipa-Jeziorski ishin të pranishem edhe Arben Çipa e Fatos Demiri, dy turoperatore të Sarandës, që kanë eksperiencat e para të bashkëpunimit me agjenci polake të turizmit. “Polaket hapin dhe mbyllin sezonin e turizmit ne Sarande, u shpreh Arben Çipa, dhe ne kemi përfituar shumë nga eksperienca e homologeve tanë polake”. Ndersa Fatos Demiri tha se janë lidhur edhe kontratat e reja mes tyre, që parashikojnë një rritje me 50% te turisteve polake në Sarandë për vitin 2015, nga 12 mijë në 18 mijë./ATA/

Libohova Online