Porosia e Prefektit para vizitës së Ramës në Gjirokastër: Të pastrohet territori i bashkive për mikpritjen e qeverisë…

Në rrjetet sociale qarkullon një shkresë e Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave në Gjirokastër, e cila na zbulon një moment interesant që lidhet me vizitën e kryeministrit Edi Rama në Gjirokastër. Sipas kësaj shkrese, pesë ditë para se Rama të mbërrinte në Gjirokastër, prefekti i qarkut, Astrit Aliaj, kishte zhvilluar një mbledhje me këtë institucion dhe kishte lënë porosi që të pastroheshin territoret e të gjitha bashkive të qarkut, për mikpritjen e qeverisë…

Përmbajtja e shkresës është banale, po aq sa edhe porosia e prefektit që kërkon aksione pastrimi për nder të qeverisë. Pra, aksionet e pastrimit nuk është se bëhen për të rritur ndërgjegjësimin te njerëzit dhe për të pastruar realisht mbetjet, por për t’i bërë qejfin Ramës dhe ministrave. Të paktën sipas kësaj shkrese, kjo ka qenë porosia e prefektit Astrit Aliaj. Po të kthehemi vite pas, kjo që po ndodh në Gjirokastër sot, të kujton filmin e njohur ‘Historiani dhe Kameleonët’, mbushur plot me skena groteske, humor të zi, sarkazëm dhe prapambetje.

“Pas debatit ndërmjet palëve, nga Prefekti i Qarkut Gjirokaster u lanë disa detyra ku më kryesoret ishin sensibilizimi i pastrimit të territorit për të gjitha Bashkitë e Qarkut Gjirokastër për mikpritjen e qeverisë Kryesuar nga Kryeministri Z.Edi Rama. Bashkive t’u kërkohet lista e kullotave verore të dhëna deri tani bashkë me praktikën”, thuhet ndër të tjera në shkresë sikundër duket në foton më poshtë.

© ArgjiroLajm.net