Prapaskenat e themelimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë në vitin 1925

bn_001_6402_0-300x209Nga Dr. Marenglen Kasmi

Më 15 mars 1925 u nënshkrua ndërmjet qeverisë shqiptare dhe një Grupi Financiar italian marrëveshja për krijimin e Bankës Kombëtare Shqiptare (BKSH). Krijimi i BKSH duhej të zgjidhte përfundimisht çështjet thelbësore ekonomike dhe financiare të shtetit shqiptar. Duke qene të vetëdijshëm se, themelimi i Bankës Kombëtare me të drejta emetimi përbënte çështjen më kardinale të një sistemi të rregullt financiar, qeveria shqiptare kishte filluar qysh prej vitit 1923 të kontaktonte me ekspertë të huaj të kësaj fushe, për të fituar bashkëpunimin e tyre. Megjithatë, nuk u arrit që brenda një kohe të shkurtër, të zgjohej ndonjë interes i veçantë në rrethet e huaja, fitimi i të cilave do të ishte një garanci për themelimin e BKSH. Ky rreth të interesuarish do të sillte edhe kapitalin e nevojshëm për krijimin e saj.

Konsultimi i dokumenteve shqiptare me ato të arkivave gjermane, jo vetëm që mundëson ngritjen e një tabloje të plotë të krijimit të BKSH, por po ashtu konfirmon edhe vërtetësinë e këtyre burimeve arkivore, të cilat shpesh arrijnë në të njëjtat përfundime.

Gjatë qëndrimit të tij në Beograd në vitin 1925, Ahmet Zogu arriti në përfundimin se, pavarësisht se qeveria jugosllave po mbulonte me zemërgjerësi shpenzimet e tij personale, ajo jo vetëm që nuk ishte e gatshme të mbështeste atë financiarisht pas kthimit të tij në Shqipëri, por po ashtu nuk mundej të paguante për zbatimin e planeve të tij politike. Kështu që, pa e vënë në dijeni Beogradin, Ahmet Zogu hyri nëpërmjet vjehrrit të tij, Shefqet Vërlaci, i cili ishte në azil politik në Romë, në kontakt me qeverinë italiane. Qëllimi i këtyre bisedimeve ishte sigurimi i mbështetjes politike dhe financiare pas kthimit të tij në atdhe, për të konsoliduar kështu sundimin e tij.

Hë për hë plani i tij për të rifituar Shqipërinë po financohej në mënyrë direkte nga kompania britanike «Anglo Persian Oil Co.», me ndërmjetësinë e ministrit britanik në Durrës, Eyres. Sipas marrëveshjes, kjo kompani do të merrte si këmbim koncensionin e parë të shfrytëzimit të naftës shqiptare.

Pas triumfit të Legalitetit, Ahmet Zogu dërgoi për të biseduar me qeverinë italiane vëllezërit italofilë Mufid dhe Ekrem Libohova, të cilët qëndronin prej kohësh në kontakt të ngushtë me italianët. Ndërkohë, presidenti Zog e kishte emëruar Mufid Libohën Zv. ministër të Jashtëm dhe Ministër të Financave, ndërsa vëllain e tij, Ekremin, Ministër Fuqiplotë në Romë. Teksti i marrëveshjes për themelimin e Bankës Kombëtare dhe marrjen e huasë prej 50 milionë frangash ari, me një interes prej 7 %, u hartuan nga italianët dhe vëllezërit Libohova. Për palën italiane, marrëveshjen e nënshkroi ministri Mario Alberti.

Sipas Legatës gjermane në Tiranë, pas nënshkrimit të kontratës, Mufid Libohova tregonte pa ngurruar se, për nënshkrimin e saj, ai ishte shpërblyer nga italianët me 1 milion franga ari. Këtë veprim ai e justifikonte me një privilegj që kishte ekzistuar në Perandorinë Osmane, ku Ministri i Financave përfitonte 2 % të vlerës, për çdo marrje huaje të nënshkruar. Po ashtu, qeveria italiane, nëpërmjet të së ashtuquajturës «Huaja e Prillit 1925» i dha paraprakisht qeverisë shqiptare 1 milion franga ari. Sipas porosisë së presidentit Zog dhe Mufid Libohovës, kjo shumë ju la në dispozicion Ekrem Libohovës «për nevoja urgjente shtetërore» siç ishin: qepja e një uniforme parade për presidentin Zog, blerjen e dy vaporëve, të cilët pas një udhëtimi të vetëm u shitën në ankand për skrap në një të dhjetën e vlerës së blerjes, për blerjen e municioneve të vjetra për armë krahu, që u siguruan nga vetë Ekrem Libohova etj.

Pasi u hartua marrëveshja, i ngarkuari italian me punë, Marchese di Durazzo, i dorëzoi Ahmet Zogut marrëveshjen për nënshkrim. Zogu fillimisht hezitoi të nënshkruajë, pasi të besuarit e tij e kishin bindur atë se, kjo marrëveshje ishte një biznes privat i vëllezërve Libohova. Për të detyruar Zogun të nënshkruante, italianët përdorën taktikën e «kërrbaçit dhe kulaçit». Nga njëra anë ata e kërcënuan Zogun për pasojat, nga ana tjetër «zbukuruan» me një shumë të konsiderueshme llogarinë e tij personale. Vetëm pas këtij veprimi, Ahmet Zogu u shpreh i gatshëm për të nënshkruar marrëveshjen dhe po ashtu të merrte masa për miratimin e saj nga Parlamenti dhe Senati.

Themelimi i Bankës Kombëtare të Shqipërisë

Themelimi i një institucioni qendror bankar shqiptar kushtëzohej para së gjithash nga situata politike në vend. Vetëm pas rikthimit të normalitetit politik dhe shtetëror në vitin 1925, qeveria shqiptare ishte në gjendje të merrte vendime dhe të lidhte marrëveshje të vlefshme dhe ligjore dhe të siguronte bashkëpunimin e një grupi bankar italian për themelimin e BKSH. Përkrah së drejtës për të kryer gjithë veprimet bankare, Banka Kombëtare ruante edhe ekskluzivitetin e prodhimit të banknotave dhe monedhave si edhe hedhjen në qarkullim të tyre. Me krijimin e saj u zgjidh po ashtu edhe një nga çështjet më të rëndësishme shtetërore, siç ishte krijimi një valute shtetërore shqiptare.

Një nga çështjet thelbësore të krijimit të Bankës Kombëtare ishte edhe krijimi i kapitalit të saj. Kjo Në marrëveshje u sanksionua se, qeveria shqiptare, do të përfitonte për këtë qëllim një hua prej 50 milionë frangash ari. Si rrjedhim, Grupi Financiar italian formoi “Shoqërinë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë” (Societa per lo sviluppo economico dell’ Albania – SVEA) me një kapital prej 15 milionë liretash. Kjo shoqëri do të kishte edhe koncensionin e kësaj huaje. Sipas marrëveshjes, huaja duhej të përdorej vetëm për punë publike si ndërtimi i rrugëve, ndërtesave, urave, bonifikim, bujqësi etj.

Huadhënia nuk ishte një përvojë e veçantë që shteti italian bëri për të siguruar fillesat e ndërhyrjes ekonomike dhe politike në Shqipëri. Kjo strategji ishte përdorur më parë edhe ndaj shteteve të tjera, të cilat ekonomikisht ishin më të konsoliduara se Shqipëria. Ajo që ndryshonte në rastin e Shqipërisë ishte mënyra e kontrollit të huasë. Ndërkohë që shtetet e tjera huamarrëse ishin të detyruara ti nënshtroheshin një kontrolli të rreptë deri në detaje të organizimit ekonomik të vendit, Shqipëria e mori këtë hua të madhe pa ju nënshtruar një kontrolli të tillë nga huadhënësi. Kjo ishte një lojë e hollë e italianëve, për të siguruar pranimin e huasë nga qeveria shqiptare. Kësisoj, ata krijonin përshtypjen e mosndërhyrjes në punët e brendshme të Shqipërisë. Sipas marrëveshjes, shlyerja e huasë do të mundësohej nga mbledhja e të ardhurave shtetërore që siguroheshin nga doganat, monopolet shtetërore të kripës, lojrave të fatit, letrës së cigares dhe shkrepëseve.

Por çfarë do të thoshte për qeverinë shqiptarë pranimi i huasë me këto kushte?

myfitDuke lënë peng të ardhurat e doganave dhe monopoleve shtetërore, të cilat përbenin thuajse gjysmën e të ardhurave shtetërore, italianët kishin prangosur sovranitetin e politikave tregtare të qeverisë shqiptare. Ky sovranitet ishte kushtëzuar nga një pikë e marrëveshjes. Mungesa e vonesës së pagesës së këstit të radhës, hapte për italianët perspektivën e kapjes së zyrave doganore shqiptare. Nënshkrimi i marrëveshjes për krjimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë i rezervonte italianëve të drejta të mëdha, siç ishte krijimi i monopolit bankar në Shqipëri. Këttë gjë e vërtetoi edhe fakti që, pas disa vitesh bankat e tjera të huaja, siç ishte edhe Baque d’ Athenes, u larguan nga Shqipëria.

Si përparësi e Shqipërisë mund të konsiderohej në këtë marrëveshje mundësia që qeveria shqiptare i ruajti vetes për të ndjekur aktivitetin e kësaj shoqërie nëpërmjet emërimit të dy përfaqësuesve të saj në këshillin administrues të shoqërisë. Po ashtu shteti shqiptar do të përfitonte falas edhe aksione në vlerën e një milion liretave. Përfshirja e shteti shqiptar si aksioner në këtë shoqëri do të thoshte se ai ishte i përfshirë direkt në kapitalin dhe fitimet e saj.

Kushti që 49 % e aksioneve duhej të ishte e rezervuar për Shqipërinë u sabotua nga vëllezërit Libohova, në bashkëpunim me italianët – çka do të përshkruhet më në detaje në vijimësi të këtij shkrimi.

Shumë më të rënda ishin për shqiptarët kushtet e përcaktuara. Jo vetëm që për 50 milionët e marra hua, interesi i huasë u rrit nga 7 në 11 % si pasojë e përfshirjes në të edhe të interesave të tjera shtesë, por tashmë asaj i duhej të merrte përsipër një hua prej 70 milionësh. Kjo shumë përllogaritej në bazë të shpenzimeve shtesë, pagesës së italianëve për ndihmën e dhënë prej tyre etj. Interesi për gjashtëmujorin e parë u zbrit menjëherë nga shuma e përgjithshme.

Pra, qeveria shqiptare duhej të merrte përsipër një pagesë të këstit vjetor prej afro 6.5 milione franga ari dhe një borxh prej 70 milionë frangash, ndërkohë që ajo nuk do të ishte asnjëherë në gjendje të siguronte pagesën e interesit për një shumë të tillë. Më 12 nëntor 1925, SVEA njoftoi qeverinë shqiptare se ishte gati të lëvronte huanë prej rreth 45 milionë frangash ari (nga shuma prej 50 milionë u zbritën 1 milionë franga që u dhanë parapagim, që tashmë me gjithë interesin ishin bërë 1.17 milionë dhe po ashtu, u zbrit interesi prej 3.7 milionë, i llogaritur deri më 30 qershor 1926. Pra gjithsej 4.87 milionë). Shqipërisë ju nevojitën 7 vjet për të marrë gjithë shumën e huasë, pra deri në vitin 1932, duke përfituar kështu mesatarisht rreth 6.44 milionë në vit. Në këto shtatë vjet, qeveria shqiptare, sipas përllogaritjeve paraprake të bëra nga Legata gjermane në Tiranë, kishte detyrim të paguante një interes vjetor prej afro 6.47 milionë frangash. Pra, pas zbritjes së interesit të gjashtëmujorit të parë nga shuma e përgjithshme, qeveria shqiptare ishte e detyruar të paguante për shlyerjen e huasë një interes, i cili ndër vite arrinte vlerën e gjithë të huasë.

Sigurisht që tashmë shqiptarëve ju hapën sytë. Presidenti Zog refuzoi të zbatonte kontratën dhe kërcënoi italianët se do të kërkonte ndihmën e Lidhjes së Kombeve për të kontrolluar kushtet e marrëveshjes. Kundër Ministirt të Finacave, Mufid Libohova u ngrit një Komision Hetimor Parlamentar. Ekrem Libohova u lirua nga detyra e tij në Romë. Komisioni Hetimor Parlamentar ngriti një akuzë prej 11 pikash, prej të cilave pikat 1, 3 dhe 11 morën në shqyrtim pikërisht marrëveshjen e themelimit të Bankës Kombëtare dhe marrjen e huasë. Komisioni e shpalli Mufid Libohovën në të gjitha pikat fajtor.

Ndërkohë Italia ushtronte një presion të madh ndaj Presidentit Zog për të ndaluar procesin hetimor. Gjithsesi Komisioni i përfundoi punimet. Më tepër sesa kërcënimet e italianëve, presidenti Zog nuk e dënoi Mufid Libohovën sepse ky i fundit e kërcënoi me nxjerrjen e detajeve, të cilat e kompromentonin rëndë atë vetë. Duke qenë se në vitin 1927 Mufid Libohova ndërroi jetë, ngjarja u la në harresë.

Por edhe pala italiane u detyrua të lëshonte pe. Pothuajse gjatë gjithë vitit 1926 u negociua ndërmjet palëve, duke arritur në rezultatin e mëposhtëm: Shuma e përgjithshme e kredisë u ul në 65.5 milionë franga, me arsyetimin se huaja ishte dhënë në Lireta dhe kursi i saj tashmë kishte ndryshuar. Për shumën e huasë të papërdorur u llogarit një zbritje e interesit prej 6.875 %. Këstet vjetore zbritën nga 6.474.000 në 5.636.850 franga ari. Me këto kushte lehtësuese të arritura, qeveria shqiptare do të përfitonte për gjithë periudhën 50 vjeçare të huasë, rreth 50 milionë franga ari. Po ashtu, rreth 10 milionë franga kurseheshin nga ulja e interesit. Sipas këtyre kushteve lehtësuese, Shqipërisë do t’i duhej të paguante rreth 60 milionë franga më pak nga përllogaritja fillestare.

Gjithashtu qeveria italiane miratoi edhe një ligj, me të cilin ajo autorizonte Thesarin e Shtetit që, nëse qeveria shqiptare nuk paguante në kohë interesin, atëherë ky institucion duhej të merrte përsipër këto pagesa. Më 28 shkurt 1928 ndërmjet SVEA-s dhe qeverisë shqiptare u nënshkrua një marrëveshje moratoriumi, sipas së cilës deri në fund të vitit 1930 Shqipëria nuk duhej të paguante asnjë këst të huasë. Në vitin 1931 duhej të paguante 1 milion franga, në 1932 vetëm 2 milionë dhe vetëm prej vitit 1933 duhej të paguante këstet me interesat e paracaktuara. Interesat e moratoriumit duhej ti paguante Thesari i Shtetit italian. Ky veprim shënon fillesat e kalimit të Shqipërisë nën diktatin ekonomik të Italisë.

Ngritja e Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimtarinë e ish Minisitrit të Financave Mufid Libohova
Faksimile e raportit të Komisionit Hetues Parlamentar të vitit 1925 për Bankën Kombëtare të Shqipërise.

raport

Në bazë të vendimit të Dhomës së Deputetëve të datës 24 tetor 1925, më 28 tetor u mblodh në Ministrinë e Financave “Komisjoni hetuës” i përbërë nga Rauf Fico, Maliq Bushati, Ndrekë Kiçi, Kasem Radovicka, Fiqri Rusi, Kristo Floqi dhe Vasil Bamiha. Kryetar i Komisionit u zgjodh Rauf Fico dhe sekrtetarë u caktuan Kristo Floqi dhe Fiqri Rusi. Meqenëse koha e hetimit ishte e shkurtër dhe çështjet për shqyrtim të shumta, Komisioni vendosi të ndajë hetimin në dy pjesë.

Ndër të tjera, në pjesën e parë u hetuan shkeljet e bëra nga ish-ministri i financave Mufid Libohova për themelimin e Bankës Kombëtare. Gjatë kontrollit të dokumentacionit u vu re se, në dokumentacionin përkatës të huasë prej 50 milionë frangash ari, mungonte akti origjinal i njohur nën titullin “Allegato B”. Ky aneks figuronte vetëm si përkthim në gjuhën shqipe, madje i pa legalizuar. Për këtë çështje. M. Libohova u përgjigj se “Ndoshta kopja italisht ka humbun në ndonji nga Zyrat qi permendëni Z. e Juej ne pyetje, por jo kurr në Ministriën e Financavet në të cilen dosjet me randësi kyçen n’arkë të hekurit”. Por ligji e përcaktonte qartë se, dokumentet origjinale duhe të ruheshin në arkivin e Ministrisë së Jashtme dhe nuk dilnin jashtë saj. Komisioni arrit në përfundimin se “Allegato B” ishte zhdukur prej M. Libohovës. Këtë gjë e pohonin edhe ish-vartësit e M. Libohovës, K. Kotta dhe P. Poga. Sipas Komisionit, ky aneks në të cilin ishin shënuar penalitetet e marrëveshjes ishte zhdukur me qëllim nga z. Libohovas para se të ekzekutohej obligacioni.

Humbja e origjinalit të aktit “Allegato B” shtrëngoi Komisionin të shqyrtonte më në hollësi dosjen e Bankës. Nga studimi i dosjeve u pa se jo të gjitha aktet e përmendura ishin botuar në Fletoren Zyrtare. Midis këtyre akteve që nuk ishin botuar ishte edhe një akt me titullin “Accordo esecutivo Nr. 13”, i cili rregullonte modalitetin e nënshkrimeve të aksioneve të Bankës Kombëtare që ishin rezervuar për nënshtetasit shqiptarë. Në të ishte përcaktuar se “Nenshtetasit shqiptarë qi do të pranohen prej Ministrit të Financavet të Shqipnisë kanë me derdhun ndër kasa te Shteti Shqiptar dy të dhetëtat e vleftës nominale t”akcjonevet të nënshkrueme. Shumat kështu të mbledhuna mandej kanë m’u derdhë prej Qeverisë Shqiptare, në Qendrën e Credito Italianos në Romë deri më 5 Majë 1925 për hesapë të Bankës Shqiptare qi po formohet […]”.

Marrëveshja Nr. 13 ishte nënshkruar në fshehtësi prej Ministrit të Financave Mufid Libohova dhe përfaqësuesit të Grupit Financiar italian Adv. Amadeo Gambino pa dijeninë e qeverisë shqiptare. Në të ishte saktësuar gjithashtu edhe një afat 23 ditor për nënshkrimin e aksioneve shqiptare. Ky veprim i ish-ministrit Libohova përbënte shkelje, sepse Këshilli i Ministrave e kishte udhëzuar atë qysh më parë se nevojitej së paku një afat tre mujor për blerjen e aksioneve nga shtetasit shqiptarë. Po ashtu, përkthimi në gjuhën shqipe i marrëveshjes nuk figuronte në dosjet përkatëse. Koha e shkurtër e lënë në dispozicion të blerjes së aksioneve nga aksionerë shqiptarë i interesonte në plan të parë italianëve. Një problem të madh përbënte fakti se në këtë mënyrë nuk mund të bëhej pjesë aksionere një pjesë e mirë e shqiptarëve emigrantë, e sidomos elementët patriotë të shqiptarëve të Amerikës, ku shumë prej tyre kishin krijuar pasuri të mjaftueshme. Komisioni arriti në përfundimin se, për të të mbuluar këtë shkelje, ish-ministri Libohova kishte falsifikuar edhe dokumentet zyrtare, duke u munduar të krijonte bindjen se ai e kishte shtyrë mjaftueshëm afatin e nëshkrimit të këtyre aksioneve.

Këto spekullime të ish-ministrit Libohova me afatet e nënshkrimit të aksioneve u bënë shkak për dështimin e plotë të qeverisë shqiptare për të marrë pjesë si aksionere në drejtimin e Bankës Kombëtare. Megjithatë, qeveria shqiptare me anë të një vendimi të 20 majit 1925 detyronte çdo ministër dhe nëpunës shteti të blinte aksione të Bankës në vlerën e një rroge mujore. Në bazë të këtij vendimi u nënshkruan prej Arkës së Përgjithshme të Ministrisë së Financave 25.196 copë aksione me një vlerë nominale prej 25.195 lira angleze – siç quhej atëherë stërlina britanike. Sipas akordit zbatues nr. 13, Qeveria ishte e detyruar të depozitonte brenda kohës së caktuar dy të dhjetat e kësaj shume, kundrejt dëftesave të përkohshme, pra 5.039 lira angleze. Shuma e përgjithshme që qeveria shqiptare kishte mbledhur në arkën e saj ishte rreth 10.944 lira angleze, dy herë më shumë sesa lypeshin për blerjen e këtyre aksioneve. Me këto të holla, sipas nenit 5 të ligjit organik të Bankës, Ministri i Financave mund të rezervonte një sasi aksionesh dy herë më të madhe se numri i kërkuar fillmisht. “ Por Z. e Tij jo vetëm qi nuk e bani këte, por as sasinë e akcjonevet qi ishin nënshkrue n’arkën e përgjithsme nuk ja siguroj të zotvet, se si thamë ma naltë të drejtat e këtyne i kishte humbë qe me 5 Majë”- konstatonte Komisioni Hetimor. Kështu që në përfundim të kapitullit të parë të hetimit, Komisioni Hetimor Parlamentar arriti në përfundimin se “Tue qenë se, si mbas hetimevet të Komisjonit, Z. Myfid Libohova asht i vetmi përgjegjës për shdukjen e “Allegato B” qi përmban penalitetin e konçensjonit të Bankës dhe të Huasë së 50.000.000; tue qenë se Z. e Tij me nënshkrimin e zbatimin e akordit eksekutiv nr. 13, qi nuk ishte pranue prej Këshillit Ministruer, veproj kundra interesavet vitale të Kombit Shqiptar dhe mashtroj të gjithë trupet shtetërore me dijeni e qellim; tue qenë se në ket mënyrë i la bashkë atdhetarët e vet me duer thatë pa marrë pjesë në nji institut që do të sundojë për 50 vjet rresht jetën ekonomike të Kombit, Komisjoni Hetuës akuzon ish Ministrin e Financavet dhe Zëv. i P. të Jashtëme Z. Mufid Libohovën, ME TRATHTI TË NALTË KUNDRA ATDHEUT E KOMBIT SHQIPTAR”.

Themelimi i Bankës Kombëtare Shqiptare në vitin 1925 nga Italia, jo vetëm që shënon fillimin e varësisë ekonomike të Shqipërisë ndaj Italisë, por po ashtu shënon njëherazi edhe përfshirjen direkte të politikës italiane në çështjet e brendshme ekonomike dhe politike të vendit. Nuk do të vononin edhe diktatet në fushën ushtarake, të cilat do të kurorëzoheshin me nënshkrimin e Traktatit I të Tiranës një vit pas themelimit të Bankës Kombëtare. Ajo që bie në sy edhe në prapaskenat e themelimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë në vitin 1925, është përsëritja e një skenari të njohur qindra vjeçar shqiptar, ku përfaqësues të elitës politike shqiptare, për nevoja të ngushta personale favorizonin interesat e huaja në Shqipëri, madje pa hezituar edhe ta shisnin atë./Dita

*Autori është historian

Libohova Online