Prapaskenat në Gjirokastër/ Si i shkarkoi Tavo trajnerët uruguaianë të Luftëtarit

Mungesë disipline në ekip, lojtarë që nuk i bindeshin trajnerit, probleme me komunikimin dhe, mbi të gjitha, përplasje absurde mes tyre. Këto janë arsyet që sollën shkarkimin e dyshes uruguaiane: Daniel Fernandez dhe Luis Kurbelo, nga stoli gjirokastrit. Dje drejtuesit e klubit prishën marrëveshjen me uruguaianët, duke arritur një akord për kontratën me dhënien e një pjese të pagave.

“Panorama Sport” zbulon se deri pas ndeshjes me Flamurtarin, ku Luftëtari mori një pikë në transfertën e Vlorës, situata ka qenë optimiste në skuadër. Mirëpo, krisjet nisën fillimisht mes trajnerëve. Edhe pse klubi kishte zyrtarizuar Fernandezin në stol, protagonisti në stërvitje dhe media ishte Kurbelo. Por, arsyeja madhore që çoi në përçarjen e dy trajnerëve ishte mënyra e stërvitjes dhe zgjedhjet në formacion.

Sulmuesi Fabricio Nunjez shpërtheu në fyerje ndaj Kurbelos në ndeshjen ndaj Kamzës. Prej ditësh mësohet se presidenti Tavo kishte paralajmëruar trajnerët, se do t’i shkarkonte nëse situata nuk përmirësohej. Mirëpo, ajo u përkeqësua, madje edhe në rast se Luftëtari i merrte pikë Partizanit, uruguaianët do të shkarkoheshin.