Presidenti Nishani me master fals

nishani-bujar-reutersMasteri i është shitur nga një mashtrues francez, i dënuar nga Gjykata e Tiranës një vit më parë me 5 vjet burg.
Presidenti i votuar i Shqipërisë, Bujar Nishani, rezulton të ketë një master fallco “Për studime evropiane”, marrë në vitin 2005 në Tiranë. Masteri shpërndahej nga një institut fantazmë francez, në bashkëpunim me disa pedagogë të Fakultetit Histori- Filologji. Në shtator të vitit 2011 Gjykata e Tiranës ka dënuar shtetasin francez Bruno Hamard, që shiste për 300-1000 euro diploma për “Master” dhe “Doktoraturë”. Në këtë listë ka shumë zyrtarë dhe deputetë të shtetit shqiptar, të cilët kanë marrë masterin fallco, përfshi deputetin Mark Marku, ministrin Nishani, prefektin e Durrësit, Gjergji Gjinko- në atë kohë shef kabineti i ministrit të Arsimit, Edvin Kulluri- gjithmonë shef kabineti i Arben Imamit, etj.

Pasi mashtroi profesorin e fakultetit të Histori-Filologjisë, Petrit Nathanailin, francezi nga Nanterre themeloi në Shqipëri Institutin “IRERIE”. Në fletë-palosje përshkruhej adresa e “Institutit të Kërkimeve dhe Studimeve Ndërkombëtare dhe Europiane”, i cili kishte krijuar dhe kurse pasuniversitare për studime të larta “Master” dhe “Doktoraturë” në këtë fushë. Mashtruesi vijoi edhe më tej duke krijuar në formën e modulit, seksionin shqiptar “IRERIE” me drejtor profesor Petrit Nathanailin.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës ambasada është përgjigjur se Instituti “IRERIE” është i panjohur në mjediset akademike franceze dhe për rrjedhojë diplomat që shpërndante ky institut nuk kanë asnjë formë njohjeje ose ekuivalence në shtetin Francez.

Duke nisur nga viti 2003 e deri në vitin e fundit 2006-2007, ku instituti fantazmë ka pasur të regjistruar 65 studentë, është e çuditshme heshtja e organeve shtetërore. Kjo edhe për faktin se për gati 4 vjet, instituti, megjithëse i ka zhvilluar mësimet online, fletë-palosjet janë shpërndarë në mjediset e Fakultetit të Histori-Filologjisë dhe pedagogë që kanë dhënë mësimin kanë qenë shqiptarë, të fakulteteve të vendit.

Bujar Nishani, presidenti i zgjedhur i vendit është viktimë e këtij mashtrimi, apo vetëmashtrimi, por kjo ka pak rëndësi. E rëndë është që presidenti Nishani e paraqet në CV e tij zyrtare këtë master si shkollim të tij, edhe pasi shtetasi francez është shpallur në kërkim dhe është vërtetuar nga gjykata që masteri është fallco./Dita