Probleme që evidentohen në prag të Edicionit të 10 të Festivalit Folklorik Kombëtar

Keshtjella-ne-Gjirokaster-320x240Kriteret shkencore, elementi më i shpërfillur në festivalet folklorike kombëtare… “Në këto edicione janë sjellë në skenën e festivalit krijime, ndërhyrje dhe përpunime jashtë natyrës së melosit popullor tradicional, tekste të sajuara nga pseudorapsodë, interpretime të shpërfytyruara nga variantet autentike të grupeve artistike, të cilat përbëjnë shmangie dhe shpërfillje të evidentimit të vlerave autentike etnofoklorike”, – thotë maestro Jorgo Roze.

Engjëll Serjani

Festivalet folklorike kombëtare, që tradicionalisht janë zhvilluar në mjediset e kështjellës madhështore të qytetit muze dhe nën mbrojtjen e UNESCO-s në Gjirokastër, kanë nxjerrë në dritë vlera të jashtëzakonshme të trashëgimisë dhe kulturës kombëtare në fushat e folklorit, etnomuzikologjisë, etnokostumografisë, etnokoreografisë, instrumenteve muzikore autentike tradicionale, të etnografisë, të riteve, lojërave dhe zejeve popullore.

Kjo veprimtari, që shënohet si më e madhja dhe më e rëndësishmja mbarëkombëtare për zbulimin, përzgjedhjen dhe paraqitjen në opinionin vendas dhe ndërkombëtar të vlerave kulturore burimore të traditave të lashta dhe të mirëfillta folklorike shqiptare, në 3-4 edicionet e saj më të fundit, ka pasur deformime, devijime dhe shpërfillje të kritereve shkencore dhe artistike në drejtim të hulumtimit dhe qëmtimit të krijimeve të lashta dhe të vjetra autentike të muzikës, këngëve, valleve dhe riteve, në drejtim të përfaqësimit të veshjeve autentike dhe shtresime më të hershme të tyre, të prezantimit të instrumenteve dhe orkestrinave me vegla të mirëfillta popullore.

Më konkretisht: sipas dy ekspertëve gjirokastritë të angazhuar me punën kërkimore dhe përzgjedhëse, pothuaj në të gjitha festivalet folklorike kombëtare që nga viti 1968, etnokostumografit Stavri Çati dhe etnomuzikologut Jorgo Roze, gjatë edicionit të gjashtë të vitit 1995 që u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit dhe në tre edicionet e tjera të viteve 2000, 2004 dhe 2009 të mbajtura në Gjirokastër, janë vërejtur shumë anomali në respektimin e kritereve shkencore dhe artistike të përfaqësimit të grupeve folklorike. “Në këto edicione janë sjellë në skenën e festivalit krijime, ndërhyrje dhe përpunime jashtë natyrës së melosit popullor tradicional, tekste të sajuara nga pseudorapsodë, interpretime të shpërfytyruara nga variantet autentike të grupeve artistike, të cilat përbëjnë shmangie dhe shpërfillje të evidentimit të vlerave autentike etnofolklorike”, thotë maestro Jorgo Roze.

Shmangiet më të rënda që ndonjëherë shoqërohen edhe me panje qesharake të folkloristëve në skenë në këto vite janë vërejtur sidomos në veshjet e artistëve popullorë që dalin në skenën e kësaj veprimtarie të madhe me përmasa mbarëkombëtare. “Paraqitja e veshjeve dhe kostumeve autentike të trevave të ndryshme në këto festivalet e fundit ka lënë shumë për të dëshiruar, mandej ndonjëherë shmangiet dhe anormaliteti i paraqitjes në skenë nuk i ka shpëtuar as kamerave dhe “censurës” së regjisë skenike dhe televizive, fenomene të cilat devijojnë realizimin e qëllimit kryesor të kësaj veprimtarie, për të cilën është e interesuar edhe audienca më e madhe e festivalit folklorik, që është shpalosja e vlerave autentike të folklorit të motmotit”, vëren etnokostumografi Stavri Çati. Nga eksperti i kostumeve popullore vlerësohen si qesharake dukuritë e vërejtura në edicionet më të fundit, përdorimi i këpucëve, atleteve dhe sandaleve moderne në vend të opingave dhe këpucëve tradicionale me apo pa xhufka, vendosja e një qelesheje që i përket kostumit të trevës së Kosovës nga një artist i trevës së Tiranës, përdorimi i elementeve të një veshjeje tradicionale nga një kostum i një treve tjetër, përdorimi i materialit stof në vend të materialit autentik tradicional të shajakut gjatë restaurimit apo riprodhimit të kostumeve.

Etnomuzikologu dhe klarinetisti i talentuar gjirokastrit, Jorgo Roze, rrëfen për ekspeditat folklorike që organizoheshin nga folkloristët, etnomuzikologët, etnografët, etnokoreografët që organizoheshin në kuadrin e fushatave të përgatitjes para fillimit të Festivaleve Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës. “Para çdo festivali folklorik kombëtar, në shkelnim në të gjitha fshatrat e të 8 krahinave etnokulturore dhe folklorike të Rrethit të Gjirokastrës. Pjesëtarët e grupeve të punës, të ndarë sipas elementeve etnokulturore; të muzikës, valleve, letërsisë dhe kostumeve popullor, sipas një programi paraprak, ashtu si bletët punëtore shpërndaheshin në fshatrat e krahinave të ndryshme dhe grumbullonin material të gjallë nga bartësit e këtyre vlerave shpirtërore”, – tregon mjeshtri i klarinetës Jorgo Roze. Ai thotë se në magnetofonin e rëndë të asaj kohe regjistrohej çdo dëshmi muzikore gojore, çdo notë, çdo tingull që fyelli a longari, çdo këngë polifonike, çdo logatë apo vaj i dalë nga shpirti i njerëzve. Njerëzit ishin dashamirës dhe bashkëpunues. Sidomos në fshat ku nga pikëpamja gjeografike, muzika popullore dhe folklori bën jetën e vet më të gjallë dhe ruhet më mirë nga ndikimet, transmetohet më me dashuri nga brezi në brez dhe ku mund të zbulosh më mirë se kudo vlerat e vërteta të muzikës popullore origjinale, veçoritë e tyre të cilat janë me mjaft interes për të njohur e për të studiuar këtë muzikë. Këtu do të theksonim faktin se edhe në këtë pjesë të folklorit muzikor shqiptar, tendencat e tipologjive të ndryshme. Ndër krijimet muzikore të kësaj trevave të Gjirokastrës të gjurmuara, zbuluara dhe përzgjedhura për në skenën e madhe të Festivalit Folklorik Kombëtar janë elegjitë, monofonitë, vajet si drama të vërteta të muzikës popullore dhe këngët-vallet humoristike, këngët polifonike epike të Labërisë, këngët polifonike “hidh e prit”, versionet tipike të polifonisë gjirokastrite, të polifonisë lirike libohovite, krijime të dala natyrshëm nga shpirti i popullit, të cilat paraqiten mjaft autoktone, por edhe me lidhje të ngushta midis tyre.

Sipas piktorit të njohur të kostumeve popullore, Stavri Çati, dhe etnomuzikologut gjirokastrit Jorgo Roze, shmangia dhe mënjanimi i këtyre anomalive nuk mund të bëhet ditët apo javët e fundit para eventit, por përgatitjet, në mos fillojnë menjëherë pas përfundimit të festivalit të radhës, (siç veprohej në praktikën e festivaleve në edicionet e mëparshme) të paktën të fillojnë një vit para, njëherazi me shpalljen nga Ministria e Kulturës të kohës së mbajtjes së festivalit, shpallje e cila duhet të shoqërohet detyrimisht edhe me shpalljen e kritereve shkencore të paraqitjes dhe përzgjedhjes të gjithçkaje që do të paraqitet në skenën e festivalit në ditën e konkurrimit të çdo grupi.

Ndonëse formalisht një vit para çdo edicioni, Komiteti Organizator i Festivalit Folklorik Kombëtar që miratohet sipas Statutit të miratuar nga qeveria dhe Ministria e Kulturës del “Urdhri për miratimin e kritereve shkencore dhe udhëzimeve për punën përgatitore të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës”, këto kritere e parime shkencore, për sa u takon vlerave burimore autentike të muzikës, këngëve, valleve, riteve,kostumeve dhe vlerave etnografike, të kohës së paraqitjes së koncertit konkurrues, numrit të artistëve që përfaqësojnë grupet përfaqësuese konkurruese, asnjëherë nuk janë respektuar dhe kjo s’ka si të mos cenojë qëllimin e kësaj veprimtarie me vlera të jashtëzakonshme mbarëkombëtare./Gazeta Shqip

Libohova Online